Ka dalë sot përpara gjykatës Elton Metaj, 31-vjeçari i cili 4 ditë më parë vrau ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj në fshatin Zhupan të Fierit.
31-vjeçari akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe është lënë në burg nga gjykata.
Gjatë seancës ai është shfaqur i penduar për krimin dhe madje ka qarë gjatë saj. Avokati i tij tha se Metaj është në gjendje të rënduar psikologjike.
Metaj shkoi i armatosur në familjen e ish-bashkëshortes dhe pas një debati verbal ai qëlloi 23-vjeçaren e cila po konsumonte darkën. Arrestimi i tij u bë i mundur pak orë pas vrasjes.
Familjarët e Sabrina Bengaj thanë një ditë më parë se Metaj ushtronte dhunë ndaj saj duke kërkuar që të vihen përpara drejtësisë edhe prokurorët dhe gjyqtarët që e liruan pas pengmarrjes që ai i bëri 1 vit më parë familjes së ish-gruas.