Gjykata për Krimet e Rënda ka refuzuar kërkesën e Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiliano Shullzit për t’i vënë në dispozicion dy përgjime që u bënë “mollë sherri” gjatë procesit. Sipas avokatëve, përgjimet nuk u bënë prezente nga prokuroria, pasi provonin se biznesmeni Ylvi Beqja kishte pasur marrëdhënie të mira me të pandehurit para arretimit të tyre.
Një muaj pasi dha një total prej 55 vitesh burg për Emiliano Shullazin dhe të bashkëpandehurve, Gjykata për Krimet e Rënda ka refuzuar një kërkesë të krahut të djathtë të tij, Gilmando Danit, shkruan ABC News.
Pak ditë pas dënimit, Dani, i është drejtuar me një kërkesë gjykatës për t’i vënë në dispozicion transkiptet e dy bisedave telefonike të përgjuara mes tij dhe biznesmenit Ylvi Beqja, dëshmitar i mbrojtur, që pretendoi se është kërcënuar dhe gjobitur nga grupi.
Bëhet fjalë për dy biseda telefonike të datës 5 Mars 2016, një muaj para arrestimit të të pandehurve të dosjes. Dy transkiptet janë bërë objekt debati edhe gjatë procesit gjyqësor, ku avokatët lëshuan akuza në drejtim të prokurorëve në sallën e gjyqit duke pretenduar fshehjen e tyre.
Avokatët pretenduan se përmbajtja e bisedave do të rrëzonte akuzën, pasi në to dëgjohej Gilmando Dani teksa komunikonte në mënyrë miqësore me biznesmenin Beqja. Por kërkesa e Gilmando Danit, për t’i pasur këto nuk ka gjetur miratimin e gjykatës. Sipas vendimit të gjyqtares Etleva Deda, një kopje e të cilit u sigurua nga ABC News pretendimi i Danit është i pabazuar në ligj.
Gjykata argumenton se procedimi penal nr.1 i vitit 2016 është në fazë hetimi paraprak dhe për këtë shkak, kërkesa për zotërimin e transkipteve duhet të shqyrtohet nga përfaqësuesit e akuzës. Pesë të pandehurit e grupit të Shullazit po vuajnë dënimet e dhëna në Shkallën e Parë në 13 nëntor 2018, pasi u fajësuan për “gjobëvënie” dhe “grup të strukturuar kriminal”, dënime që janë ankimuar në Apelin e Krimeve.