Gjykata Kombëtare e Spanjës ka vendosur të pranojë kërkesën e autoriteteve shqiptare për të ekstraduar në vendin tonë, të shumëkërkuarin Lulzim Berisha.
52-vjeçari shqiptar e refuzoi ekstradimin me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta nga ndonjë hakmarrje për shkak të së shkuarës së tij, Prokuroria spanjolle tha se Berishës i rrezikohet jeta vetëm jashtë burgut dhe jo në liri.
Megjithatë ish-kreu i bandës së Durrësit, ka të drejtën për të apeluar vendimin. Ai u arrestua në Spanjë në dhjetor të vitit 2023 i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Klodian Saliut në 2005-ën.
KALVARET GJYQËSORE TË LULZIM BERISHËS:
Në 2012, Lulzim Berisha u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.
Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.
Në Maj 2024, Lulzim Berisha ishte ndër personat për të cilët SPAK kërkoi arrestimin në lidhje me një procedim penal.