Një 78-vjeçar britanik është në pritje të gjykimit në Kolumbi, pasi dyshohet se po tentonte të largohej nga vendi me 9 kilogramë kokainë.
Vincent Ruocco, baba i 6 fëmijëve dhe i 13 nipër e mbesave, u arrestua në aeroportin e “El Dorado” të Bogotës, pasi policia i zbuloi na bagazhe një sasi prej 9 kilogramësh lëndë narkotike, kokainë.
Rasti i 78-vjeçarit britanik vjen në një situatë kur zyrtarët në vendin e Amerikës së Jugut thonë se është dyfishuar në një vit numri i të moshuarve që po përdoren nga trafikantë për të transportuar drogë jashtë vendit.
“Nëse ai e ka bërë këtë gjë, meriton gjithçka. Çdokush që po trafikon drogë në botë, po vret njerëz dhe duhet të shkojë në burg, pavarësisht se sa vjeç është. Në të kundërt, do t’i qëndrojë pranë”, është shprehur vajza 42-vjeçare e Vincent Ruocco-s.
Gjatë vitit të kaluar, policia kolumbiane ka vënë në pranga 47 të persona të moshës nga 50 deri në 80 vjeç, 14 prej të cilëve mbi 65 vjeç, të cilët janë përdorur për të trafikuar drogë. “Këta njerëz përfaqësojnë një pjesë të ndjeshme të shoqërisë dhe përdoren nga bandat e drogës duke u ofruar atyre pagesa të mëdha”, ka thënë koloneli Wilson Siza, nga policia e anti-drogës në Kolumbi për “The Sunday Telegraph”.