I rikthyer nga një dëmtim i gjatë Neymar Jr nuk po kalon momente aspak pozitive te Paris Saint Germain. Autori i një goli në finalen e Kupës së Francës ndaj Rennes të cilën kampionët e Ligue 1 e humbën pas goditjes së penalltive u bë protagonist i një gjesti shumë të shëmtuar.
Në momentin që lojtarët e PSG po ngjiteshin drejt podiumit në Stade de France për të marrë medaljet e skuadrës humbëse, braziliani u konfliktua me një tifoz duke përdorur edhe duart kundrejt tij.
Një gjest shumë i shëmtuar ky i Neymar që si ka pëlqyer aspak as trajnerit gjerman Thomas Tuchel i cili e ka komentuar kështu: “Nuk kishte përse të ndodhte kjo. Nuk e pashë momentin, por më thanë shumë vetë më pas. Është e papranueshme të sfidosh fizikisht një tifoz”.
Pas sharjeve ndaj gjyqtarëve të sfidës në ndeshjen ndaj Manchester United në Champions, për të cilat u skualifikua me 3 ndeshje, Neymar rrezikon një tjetër dënim shembullor këtë herë ndoshta me 5 ndeshje, prandaj ky sezon mund të konsiderohet praktikisht i mbyllur për sulmuesin brazilian.