Aktualitet Grabitja në aeroport/ Meta, Rama dhe Ruçi udhëtuan dje nga Rinasi

Grabitja në aeroport/ Meta, Rama dhe Ruçi udhëtuan dje nga Rinasi

Aeroporti i Rinasit ka qenë në masa të forta sigurie në momentin kur ndodhi grabitja e 10 milion eurove. Pak minuta para se të ndodhte grabitja ka zbritur në Rinas me të njëjtin avion, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili kthehej nga një vizitë zyrtare në Austri.

Disa minuta pas ngjarjes po nga Rinasi është nisur Kryeministri i vendit Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi e personalitete të tjera shtetërore.

Për shkak të udhëtimeve të personaliteteve në pozicione të larta shtetërore siguria në aeroport ka qenë maksimale, por kjo nuk i ka penguar 5 grabitësit të finalizonin në përsosmëri planin e tyre.

Duket se ata kanë pasur informacione të detajuara për lëvizjen e vlerave monetare si dhe për oraret.

Grupi hetimor ka dyshime të forta se 5 grabitësit kanë pasur persona të rekrutuar brenda aeroportit të Rinasit, por edhe shoqërive private që transportuan në aeroport paratë e 4 bankave të Nivelit të Dytë.

Po ashtu nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur bashkëpunëtorë edhe eksponentë të policisë.

Çështja është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një grabitje, por për cënim të sigurisë.