Aktualitet Me 15 emra e 17 milionë euro të grabitura: Kush ishte Admir...

Me 15 emra e 17 milionë euro të grabitura: Kush ishte Admir Murataj

Zbulohet foto e Admir Muratajt, para se të kryente grabitjen në Aeroportin e Rinasit.

Dallohet qartë ndryshimi i madh i Muratajt, çka e bënte të pamundur njohjen e supergrabitësit. Tullac dhe me pak mjekër, kjo ishte pamja e re e Admir Muratajt.

Thuajse  e njëjta me maskimin që ka përdorur për grabitjen e një dite më parë në Rinas.

Ndryshe nga pamja e pak viteve më parë, Murataj kishte ndryshuar tërësisht. Kjo e ka bërë të vështirë edhe për Policinë që ta identifikonte dhe arrestonte Admir Murtajn, pavarësisht se prej vitesh ai ndodhet në kërkim për 3 grabitjet që ishin bërë në Tiranë.

Kush ishte Admir Murataj

Nga Greqia në Shqipëri, Admir Murataj është një emër i njohur për bankat.

Murataj rezulton se ka 15 emra të ndryshëm, ndërsa është arratisur në vitin 2013 nga burgu i Trikallas në Greqi.

Në atë kohë Admir Murataj sapo kishte grabitur një bankë në Greqi dhe akuzohej për disa vepra penale, nga vjedhja, te plagosja dhe vrasja. Por duket se arratisja nga burgjet greke bëri që Murataj të përqëndrohej në grabitjen e bankave dhe blindave me para në Shqipëri.

Ngjarja e parë për të cilën akuzohet grupi i Admir Murataj, ndodhi në vitin 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

Pak muaj më vonë rreth 2 mln paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën pranë kthesës së Kasharit.

Ngjarja e tretë për të cilën akuzohen të pandehurit ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e policisë privatë, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 mln e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017, ku policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura.

Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer.

Pas këtyre grabitjeve Admir Murataj nuk u tërhoq.

Një ditë më parë ai organizoi grabitjen e 10 milionë eurove brenda Rinasit, por u vra nga Policia në momentin që po arratisej.