Emrat e mundshëm të bashkëpunëtorëve në super-grabitjen në Rinas i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Tre bankat e nivelit të dytë në vend i janë përgjigjur kërkesës së Prokurorisë në lidhje me shumën e parave që transportonin më 9 prill nga aeroporti i Rinasit, por edhe personave të brendshëm që dyshohet se kanë bashkëpunuar me autorët e grabitjes. Shuma e raportuar nga bankat arrin në 6 milionë euro, duke shuar kështu zhurmën se vlera e parave të grabitura në Rinas arrinte në 10 milionë euro. Prokurorët janë ndarë në dy grupe hetimi, që lidhen me faktin penal dhe atë administrativ të ngjarjes.
Një tjetër provë dorëzuar prokurorëve është edhe akt-ekspertimi mjeko ligjor i të ndjerit Admir Murataj. Dilemat e ngritura pas ngjarjes se kush qëlloi mbi njeriun që organizoi grabitjen e 6 milionë eurove, vijojnë edhe pas raportit mjeko–ligjor.
I cilësuar si organizatori i grabitjes, Murataj mbante një maskë, e cila është tashmë një provë materiale në duart e policisë. Autopsia tregon se Murataj u qëllua me një armë Kallashnikov, në syrin e djathtë, i cili e bëri të pa identifikueshëm imazhin e tij. U desh ndërhyrja e familjarëve që të bëjnë identifikimin e kufomës. Por distanca nga e cila është qëlluar Admir Murataj mbetet enigmë, bashkë me personin që e eliminoi atë, pak minuta pas grabitjes.