Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi nga Kukësi se do të ketë arrestime të tjera në lidhje me grabitjen në Rinas.
I pyetur nëse ka fakte për deklaratën në Kuvend se autorët e Rinasit kanë lidhje të forta me grupet e rrezikshme kriminale në vend, Lleshaj tha se nuk mund të thotë shumë detaje, por theksoi se grupi ka aktivitet kriminal jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
“Kjo çështje është ende në hetim megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them se grupi tashmë i shkatërruar ka një arkiv të pasur të aktiviteteve negative kriminale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit janë arrestuar, por ka edhe të tjerë”.
Sa i takon protestës së opozitës, e cila së fundmi ka nisur me bllokime rrugësh, ministri i Brendshëm i bëri thirrje që të kthehet në rrugët normale të politikës.
“Është e drejta e kujtdo për të protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet, duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të kthjellohen e t’i thërrasin arsyes e të kthehen në rrugët normale të politikës”.
Ministri Lleshaj ndodhej në Kukës e Has në kuadër të nismës ministri “Një ditë në qark”, ku foli për rendin dhe sigurinë.