Arsenal nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertë ndaj Southampton. Djemtë e trajnerit Mikel Arteta që regjistruan barazimin e parë në Premier League.
Sa i takon sfidës, miqtë kaluan në avantazh në minutën e 11-të të pjesës së parë falë një goli të Granit Xhakës. Mesfushori me origjinë shqiptare konfirmoi formën e shkëlqyer që po kalon në këtë fillim të sezonit duke dhënë një kontribut të madh për Topçinjtë. Ishte goli i tretë (i katërti në të gjitha kompeticionet) për 30-vjeçarin në këtë sezon të Premier League teksa londinezët pavarësish disa mundësive, e mbyllën në avantazh minimal 0-1 pjesën e parë.
Në 45-minutat e dyta, Southampton shfaqet më kërkues dhe sheh më shumë nga porta e Arsenal dhe në fakt shpërblehet në minutën e 65-të falë golit të Arsmtrong, që vendos kështu sërish baraspeshën. Vendasit patën sërish shansin për të shënuar, por nuk i shfrytëzuan mundësitë. Ndërkohë, nga krahu tjetër Arsenal gjeti rrugën e rrjetës me anë të Odegaard, por aksioni ishte i pavlefshëm pasi topi fillimisht kishte kaluar vijën fundore.
Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe Topçinjtë u ndalën në barazim, e megjithatë ruajnë kryesimin e Premier League me 28 pikë ndërsa Southampton renditet në vendin e 15-të me 12 pikë.
Në ndeshjet e tjera të Premier League, Aston Villa u rikthye te suksesi pas shkarkimit të Steven Gerrard teksa triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 në shtëpi ndaj Brentford. Sakaq, Leicester mposhti po me shifrat 0-4 në transfertë Wolverhampton ndërkohë që Leeds nuk rezistoi në shtëpi dhe u mund me shifrat 2-3 nga Fulham.