Politika Rama kërkon ekspertizë pas sulmeve të Iranit dhe biznesmeni që koordinoi vizitën,...

Rama kërkon ekspertizë pas sulmeve të Iranit dhe biznesmeni që koordinoi vizitën, çfarë shkruan media izraelite

Media “The Jerusalem Post” i ka kushtuar një artikull vizitës së kryeministrit Edi Rama në Izrael.

Sipas “The Jerusalem Post”, Rama mbërriti në Izrael të dielën për të forcuar mbrojtjen kibernetike të vendit të tij pas një sërë sulmesh nga Irani që çuan vendin e tij në ndërprerjen e marrëdhënieve me Teheranin.

“Gjatë vizitës së tij në Izrael, Rama planifikon të takohet me kreun e Drejtorisë Kombëtare të Kibernetikës dhe kompanitë kryesore izraelite në këtë fushë, si dhe me kryeministrin Yair Lapid, Presidentin Isaac Herzog, Kryetarin e Knessetit Mickey Levy dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu. Sulmi kibernetik iranian ndaj Shqipërisë në fillim të këtij viti kërcënoi të paralizojë shërbimet publike dhe sistemet dixhitale, të hakojë të dhënat shtetërore dhe të mbjellë më tej kaos. Hakerët publikuan të dhënat personale të anëtarëve të qeverisë shqiptare”, shkruan media në fjalë.

Biznesmeni izraelito-kazak Alexander Machkevitch, i cili drejton një nga kompanitë më të mëdha në botë të minierave dhe prodhimit të lëndëve të para, Euroasian Resources Group, ishte i përfshirë në koordinimin e vizitës së Ramës në shtetin hebre.

Sa i takon marrëdhënieve Shqipëri-Izrael, media në fjalë thekson se Shqipëria është një shtet me shumicë myslimane që ka marrëdhënie me Izraelin që nga viti 1991.

Po ashtu përmendet fakti që vendi ynë ka strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe që Shqipëria u bë pjesë e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin në vitin 2020.