Aktivistja adoleshente për klimën, Greta Thunberg, lundroi drejt New York Harbour në një anije me emetim 0 të karbonit, duke përfunduar udhëtimin e saj 14-ditor nga Anglia për të marrë pjesë në një samit të klimës së Kombeve të Bashkuara në New York.
Suedezja u prit me brohoritje, ndërsa po qëndronte në harkun e anijes dhe tundi flamujt gjatë lundrimit pranë ndërtesës ikonike të Empire State.
“E gjithë kjo është shumë dërrmuese dhe mezi po më mban toka”, tha Thunberg sapo zbarkoi në tokë.
“Është çmenduri që një 16-vjeçare të kalojë oqeanin Atlantik për të krijuar vetëdijesim, por ja ku jemi”, shtoi ajo, duke i thënë turmës së mbledhur se nëse nuk krijohen strategji për mbrojtjen e ambientit, mund të bëhet shumë vonë. Aktivistja e klimës, në vend që të udhëtonte me aeroplan që djeg karburantin dhe kontribuon në ndotjen e atmosferës, vendosi që ta bëjë udhëtimin me anijen Malizia II, një varkë e pajisur me panele diellore dhe turbina nënujore që prodhojnë energji elektrike në bord.
Varka nuk ka dush ose WC, dhe ata që gjendeshin në bord hëngrën ushqim të tharë dhe të ngrirë gjatë gjithë udhëtimit. E reja thotë se mezi pret të shijojë perime të freskëta jashtë konservave, duke mos mohuar sfilitjen e udhëtimit dyjavor.
Pas mbërritjes në SHBA, mesazhi i Thunberg për Presidentin Donald Trump ishte: “Dëgjo shkencën”, por shtoi ajo, “ai padyshim nuk e bën atë.”
Greta tha që ajo do të udhëtonte për në shtete tjera pa fluturuar, duke përdorur trena, autobusë dhe ndoshta një varkë të ngjashme.