Sport Valencia në sulm për Hysajn, diskutohen detajet e transferimit

Valencia në sulm për Hysajn, diskutohen detajet e transferimit

Kur dukej se ishte sfumuar çdo alternativë merkatoje dhe se Elseid Hysaj do të mbetej te Napoli, situata ka marrë një tjetër kthesë dhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare është vetëm një hap larg transferimit në kampionatin spanjoll.

Mediat italiane raportojnë se në garë për mbrojtësin shkodran është futur skuadra e Valencias, e cila humbi për një dëmtim të gjatë mbrojtësin Piccini dhe shikon Hysajn si futbollistin ideal për t’i besuar atë pozicion.

Edhe menaxheri i Hysajt, Mario Giuffredi pranoi se po negociohet mes palëve dhe se po nxitohet që të arrihet një marrëveshje brenda kësaj jave, pasi dihet tashmë që merkatoja mbyllet më 2 shtator.

Paraprakisht thuhet se Valencia është ofruar të marrë shkodranin në huazim me të drejtë blerjeje për 18 milionë euro, por edhe formula e transferimit është ende duke u negociuar mes klubeve.

Gjithsesi ajo që ka rëndësi është se të tre palët, Napoli, Hysaj dhe Valencia, duan që ky operacion të përfundojë me sukses, ndaj edhe optimizmi për kryerjen e transferimit është shumë i lartë.