Kombëtarja kuqezi ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese, ndaj Lihtenshtejnit në “Elbasan Arena”, të shtunën.
Ndërkohë, në mesditë ka dalë në konferencë për shtyp Eros Grezda, një nga të rinjtë premtues të kombëtares shqiptare. Ai ka nënvizuar në fjalën e vet: “Për fat të keq nuk e kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë. Kam luajtur disa minuta me Italinë dhe me Luksemburgun, ndërsa nuk e di sesa kam arritur t’ia mbush mendjen trajnerit.
Kam dhënë maksimumin në stërvitje dhe shpresoj të luaj nga fillimi në ndeshjet e ardhshme. Nuk kam biseduar shumë me trajnerin e ri, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe kemi qenë shumë të përqendruar në seancat stërvitore. Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij, për ne futbollistët është e rëndësishme të tregojmë vlerat tona sa herë që na jepet rasti të luajmë. Duhet të luajmë në çdo pozicion që trajneri e mendon dhe ka nevojë. Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse luaj si mesfushor krahu, si mesfushor pas sulmuesit, apo si sulmues, jam gati të jap kontribut ku ka nevojë skuadra.
Fillimisht do të luajmë me Lihtenshtejnin dhe jemi ekipi favorit në letër, por duhet të sulmojmë që të fitojmë. Për këtë arsye trajneri ka grumbulluar më shumë lojtarë në repartin ofensiv, pasi do të hyjmë në fushë vetëm për të marrë fitoren. Për këtë duhet të luajmë me një skemë më sulmuese. Secili trajner ka metodat e veta të punës, por si me De Biazin, ashtu edhe me Panuccin, jemi të kënaqur. Po punojmë fort dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën. Skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen me Lihtenshtejnin, sepse nuk është një sfidë e lehtë. Të mposhtim Lihtenshtejnin njëherë dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë. Edhe atje do të shkojmë për fitore”.