Sport Latifi: Panucci ka sjellë gjëra të reja, jam gati të luaj!

Latifi: Panucci ka sjellë gjëra të reja, jam gati të luaj!

Pasi shkroi historinë me Skënderbeun, mesfushori nga Prishtina, Liridon Latifi kërkon të jetë protagonist edhe me ekipin Kombëtar.

Në konferencën e sotme për shtyp, 23-vjeçari ka treguar para gazetarëve se do të jetë gjithmonë i gatshëm në çdo sekondë për të dhënë më të mirën për Shqipërinë.

Latifi ka folur gjithashtu edhe për përjashtimin e Çikalleshit si dhe për vendimin për të shkuar në Hungari.

A është gati për të qenë titullar në Kombëtare

“Normalisht, çdo sekondë të karrierës e kam menduar që të jem një ditë pjesë e kombëtares. Çdo gjë që e bëj, e bëj për të mirën time dhe t’i mbush mendjen trajnerit që shpresoj të më japë ndonjë minutë. Unë gjithmonë do të jem i gatshëm që çdo sekondë të jap më të mirën për Kombëtaren”.

Vendimtar edhe me Kombëtaren, si me Skënderbeun

“Shpresoj që aftësitë e mia t’i shpreh edhe në Kombëtare. Është e rëndësishme edhe për karrierën time. Shpresoj që këtë formë që kam, ta shpreh edhe në Kombëtare”.

A e cilëson pozitiv afrimin e një grupi të ri lojtarësh në Kombëtare

“Normalisht që është pozitive që na ka grumbulluar se e njohim njëri-tjetrin. Kemi luajtur edhe në të kaluarën bashkë dhe e dimë ku luajmë e përshtatemi më shumë”.

Për përjashtimin e Çikalleshit

“Nuk kam çfarë të them, është trajneri që i merr vendimet”.

Për ndryshimin mes De Biazit dhe Panuçit

“Çdo trajner ka filozofinë e vet. Trajneri ka sjellë gjëra të reja këto dy ditë. Mendoj se është trajner i ri, i mirë, që do të ketë të ardhme. Për momentin nuk mund të themi se çfarë janë këto të reja që na ka shfaqur në stërvitje. Për futbollistët profesionistë nuk ka problem ky ndërrim. Ne në fushë duhet të japim maksimumin”.

Për dy ndeshjet e kuqezinjve

“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. E para me Lihtenshtejnin është të shtunën dhe duhet të jetë fokusi jonë kryesor. Çdo ndeshje me Kombëtaren është e rëndësishme. Çdo pikë duhet ta marrim, nuk duhet të humbim asnjë rrugës”.

Nëse është gati të luajë si sulmues

“Nëse Sadiku, Balaj e Çikalleshi mungojnë, kemi shanse më shumë për t’u futur në formacion, apo edhe në pjesën e dytë. Ata janë sulmues të pare”.

Për vendimin për të shkuar në Hungari

“Ata kanë bërë një projekt shumë të madh për të ardhmen, kanë bërë shumë gjëra në aspektin e projekteve. Ka qenë edhe ana financiare që më kënaqi mua dhe klubin ndaj zgjodha atë skuadër”.