Sport Guardiola dhe 8 shpikjet taktike që ndryshuan futbollin

Guardiola dhe 8 shpikjet taktike që ndryshuan futbollin

Pep Guardiola përshkruhet në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm; gjeni, hero, magjistar, strateg, shpikës. Pavarësisht nga ajo që mund të ndjeni për të nuk mund të mohohet se ai është shumë i aftë në punën që bën. Si futbollist, ka treguar shumë shpejt tiparet e liderit dhe se kishte një vizion, duke u bërë pjesë e ekipit të parë të Barcelona-s, të drejtuar nga Johan Cruyff, kur ka qenë vetëm 20 vjeç. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur në 2006-ën Pep ka marrë drejtimin e ekipit të dytë të Barcelona në moshën 35-vjeçare, para se të kalonte në drejtim të ekipit të parë dy vite më pas. Pjesa tjetër mund të themi se është histori. Guardiola ka sjellë shumë ide të reja në sportin e futbolli dhe më poshtë është renditja e tetë risive që kanë ndryshuar lojën.

Stili i tiki-taka shpesh i atribuohet Guardiola, por spanjolli nuk e ka shpikur atë. Kjo taktikë, në fakt, e ka origjinën te Barcelona e Cruyff, ajo e Van Gaal dhe ajo e Rijkaard. Megjithatë, duke parë se lojtarë si Xavi, Andres Iniesta dhe Lionel Messi janë zhvilluar përafërsisht në të njëjtën periudhë, tiki-taka do t’i atribuohet gjithmonë skuadrës së Guardiola. Duke e bazuar lojën te një numër i madh pasimesh të shkurtra dhe fluide, ekipi i spanjollit e mbante topin për një kohë shumë të gjatë. Ka qenë një metodë jashtëzakonisht e suksesshme, shumë efektive edhe për mbrojtjen, ndërsa rivalët gjithmonë e kanë pasur të vështirë të rikuperonin topin.

Nënta false

Ideologjia e nëntës false (sulmues i fshehur) është përdorur nga shumë klube rreth Europës në vitet e fundit, duke përfshirë Roma, Arsenal dhe Chelsea, por Barcelona e ka çuar në një nivel tjetër falë Lionel Messi-t. Argjentinasi shtatshkurtër është një nga sulmuesit më të mirë në planet, gjithashtu edhe një nga organizatorët më të mirë, për këtë arsye kuptohet shumë lehtë pse Guardiola filloi ta përdorte me aq rregullsi Messi në atë pozicion. Guardiola ka vazhduar ta bëjë këtë te Bayern Munich me Thomas Muller, me rezultate shumë pozitive. Tani kjo metodë ka filluar të përdoret nga pjesa më e madhe e skuadrave, ndërsa roli i sulmuesit është në evoluim të vazhdueshëm.

Ndryshimet e formacionit gjatë ndeshjeve

Përdorimi i formacioneve të ndryshëm për të njëjtën skuadër gjatë harkut të një sezonin është diçka që nuk shihet shpesh, por në “Allianz Arena” është e vështirë të kuptosh se me çfarë moduli do të luajë Bayern nga java në javë. 3-4-3, 4-2-3-1, 4-2-2-2, 4-1-4-1, 4-1-2-1-2 , madje edhe skema e çuditshme 2-3-5 është përdorur në Bavari, ndërsa Bayern vazhdon të shkelë me këmbë rivalët në Bundesliga. Si arrijnë lojtarët të përshtaten me gjithë këto ndryshime do të mbetet një sekret, por është me të vërtetë një mënyrë gjeniale për të pasur gjithmonë një ekip të freskët dhe entuziazmues në fushën e lojës.

Mbrojtësit e aktivizuar në krahë të kundërt

Kjo metodë konsiston në aktivizimin e një mbrojtësi krahu në krahun e kundërt të këmbës së tij të preferuar, duke i dhënë atij një avantazh për zhvendosjet drejt qendrës së mbrojtjes. Edhe pse nuk duket si zgjidhja më e mirë për një mbrojtje, për Bayern Munich ka dhënë shumë rezultate pozitive. David Alaba dhe Philipp Lahm kanë qenë të jashtëzakonshëm në mbrojtje dhe mesfushë, duke u kthyer në dy prej lojtarëve më të zgjuar në qarkullim aktualisht. Alaba, 23 vjeç, ka një të ardhme të shkëlqyer përpara, ndërsa Lahm është një nga veteranët më të respektuar në botën e futbollit.

Tre mbrojtës

3-4-3 është një formacion që shumë prej nesh e kanë përdorur në Fantazi Futboll, me synimin për të marrë sa më shumë pikë nga sulmi, duke injoruar mbrojtësit. Guardiola e ka kthyer këtë në realitet, por ndërsa skuadrat e tij janë të pamëshirshme në sulm, ato janë po aq efikase edhe në mbrojtje. Me tre qendërmbrojtës, dy lojtarët në krah luajnë si të ishin qendërmbrojtës të mirëfilltë, duke neutralizuar rreziqet më të mëdha, ndërsa lojtari i mesit ka më shumë një rol organizatori, duke hapur lojën me pasime të gjata. Natyrisht, kjo varet nga lojtarët që Guardiola aktivizon në formacionin titullar, pasi ai ka një formacion të ndryshëm për çdo lojtar të ekipit.

15 pasime për një aksion

“Nëse nuk ka një sekuencë prej 15 pasimesh në fillim, është e pamundur të krijosh një urë mes mbrojtjes dhe sulmit. E pamundur. Është e rëndësishme të kesh kontrollin e topit nëse do të bësh 15 pasime të njëpasnjëshme në mesfushë në mënyrë që të ruash formën, ndërsa destabilizon njëkohësisht organizimin e kundërshtarit, kjo mund të bëhet me 15 pasime të shpejta dhe sakta. Pothuajse të gjithë lojtarët e ekipit duhet të punojnë si një njësi e vetme. Gjatë kohës që bën ato 15 pasime dhe organizon lojën tënde, kundërshtarët do të ndjekin në të gjithë fushën, në kërkim të topit. Gjatë kësaj kohe, pa e kuptuar, ata kanë dalë jashtë skemave të tyre. Nëse e humb topin, atëherë lojtari që e merr ka shumë mundësi që të jetë i vetëm i rrethuar nga lojtarët tanë, që do ta rimarrin me lehtësi”.

Portieri në rolin e mbrojtësit

Portierët në rolin e mbrojtësve nuk janë një gjë e re në futboll dhe Guardiola sigurisht nuk e ka shpikur këtë mënyrë loje, por është një rastësi interesante se dy portierët më të mirë në këtë rol, Victor Valdes dhe Manuel Neuer, kanë luajtur nën urdhrat e tij. Të dy luajnë shumë mirë me këmbë dhe kanë qenë shpesh lojtari i pestë i Pep në mbrojtje. Neuer e ka çuar këtë rol në një nivel tjetër, ndërsa të gjithë ne e shohim shpesh të dalë nga zona e rreptësisë për të ndalur një sulmues ose për të larguar topin. Valdes tani duhet të jetë duke ëndërruar për ato ditë kur punonte me Guardiola.

Kuadrate në fushat e stërvitjes

Askush nuk është i sigurt se për çfarë shërbejnë kuadratet e shumta në fushat stërvitore të Bayern Munich, por duket qartë se po japin rezultate shumë të mira për Guardiola dhe lojtarët e tij. Për njerëzit e thjeshtë, duket si një “puzzle” shumë i komplikuar për t’u zgjidhur. Ndoshta, për trajnerin spanjoll ato janë kodi i Matrix, dhe Pep është me të vërtetë i Përzgjedhuri, por me një shije shumë më të mirë në veshjes se Neo (Keanu Reeves).