Pavarësisht kërkesës së Presidentit amerikan Donald Trump që Serbia të njohë Kosovën, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç vazhdon propagandën.
Vetëm disa ditë pas letrës së Trumpit drejtuar Aleksandar Vuçiçit me këtë apel, shefi i diplomacisë serbe foli në përvjetorin e 11 të pavarësisë së Kosovës duke thënë se nuk e kupton arsyen perse ajo po feston në një kohë kur sipas tij, në këtë dekadë nuk ka arritur e nuk ka bere asgjë.
Daçiç theksoi sidomos faktin që Kosova nuk ka mundur të anëtarësohet në OKB, INTERPOL, UNESCO, e në organizata të tjera.
Më tej, i cituar nga mediat serbe, ai shtoi se Kosova në gjithë këto vite ka pësuar humbje pasi sipas tij, pa një marrëveshje me Serbinë nuk ka zgjidhje për këtë çështje dhe këtë e konsideron meritë të madhe të politikës serbe.
Ishte pikërisht politika penguese e Beogradit ajo që shtyu qeverinë e Kosovës të vendoste taksen 100% mbi mallrat serbe që hyjnë në vend, e cila është bërë shkas si per reagimin e ashpër të SHBA-së dhe BE-së, ashtu edhe per tensione brenda vete koalicionit qeveritar në Prishtinë.
Acarimi i Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit u pa edhe një herë gjatë seancës solemne për Pavaresinë ku Veseli deklaroi se qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës dhe se kjo mund te ndodhe vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-ja dhe Bashkimi Europian.