Extra ‘Hackeri’ që tronditi futbollin. Hungaria do ekstradojë Rui Pinto

‘Hackeri’ që tronditi futbollin. Hungaria do ekstradojë Rui Pinto

Njeriu që tronditi themelet e futbollit duke publikuar në vazhdimësi skandale për milionat e fshehura, për skandalet e lëna në hije dhe për manipulime të panumërta, do të ekstradohet.

Portugezi Rui Pinto që u zbulua si arkitekti i skandalit të pagëzuar me emrin Football Leaks, u paraqit para një gjykate në Budapest, e cila vendosi ta dorëzojë në organet e drejtësisë së vendeve ku kërkohet, për të dhënë shpjegime mbi mënyrën sesi vodhi dokumentet konfidenciale.

Mbi Rui Pinton rëndojnë akuzat e shantazhit, aksesit ilegal në të dhëna të ndjeshme, krime kibernetike dhe zbulim i marrëveshjeve financiare të klubeve më të fuqishme futbollistike të globit. Por hakeri portugez ende ndan opinionin nëse është një Robin Hood i kohëve moderne, apo një kriminel që kërkoi të përfitonte financiarisht.

“Është një çështje për jetë a vdekje. Ju lutem mos më riktheni sërish në Portugali pasi tani jam një njeri me shenjë që kur u zbulua identiteti im. Kam frikë për jetën time dhe të familjes”, tha Rui Pinto.

Njeriu që ngriti nga themelet Football Leaks, fillimisht si një uebsajt në internet duke zbuluar pagat e lojtarëve, zbuloi më pas skandale të tjera që asnjëherë nuk janë mohuar. Falë dokumenteve të tij, 18.6 milionë të tillë, u zbuluan evazione fiskale si ai i Cristiano Ronaldos, që si për ironi të fatit, hakeri thotë që vazhdon ta ketë idhullin e jetës.