Në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt” komisioneri për politikën europiane të fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn, ka deklaruar se një shtyrje e vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë Maqedoninë e Veriut që ka plotësuar kushtet mund të destabilizojë vendin dhe të gjithë rajonin e Ballkanit.
Në intervistën për gaztën gjermane Komisioneri Hahn ka konfirmuar se Komisioni Europian do të bëjë rekomandime pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fund të majit e më pas shtetet anëtare do marrin një vendim duke vlerësuar edhe situatën aktuale politike.
Për Hahn është e qartë se vendet meritojnë dritën e gjelbër në qershor të këtij viti. Ndërkohë për Shqipërinë Hahn konsideron se reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore është shembullore por njeh se përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet të rriten.
Por Hahn jep sinjalin e alarmit lidhur me një shtyrje apo vendim negativ. Hahn thotë se mosnjohja e rezultateve të arritura nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të kishte pasoja dramatike për të dyja vendet dhe kjo do të shkaktonte një efekt domino negativ në rajon.