Kërpudhat janë të dobishme në luftimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe në frenimin e formimit të kolesterolit në arterie. Gjithashtu një hulumtim i kryer së fundi në Singapor sugjeron se konsumimi i kërpudhave më shumë se dy herë në javë mund të parandalojë problemet me kujtesën dhe të folurit që shfaqen pas moshës 60-vjeçare.
Ato përmbajnë një antioksidant unik që ka një efekt mbrojtës në tru, zbuloi studimi. Në hulumtim nënvizohet se sa më shumë njerëzit hanin kërpudha, aq më mirë kryenin testet e të menduarit dhe përpunimit cerebral.
Por gjithsesi studiuesit thanë se nuk ishte e mundur të provohet një lidhje e drejtpërdrejtë midis kërpudhave dhe funksionit të trurit. Të gjeturat e studimit të Universitetit Kombëtar të Singaporit u bazuan në 663 të rritur kinezë, të moshës mbi 60 vjeç, dieta dhe mënyra e jetesës e të cilëve u monitorua nga 2011 në 2017.
Përse janë të mira kërpudhat?
Sipas Agroweb, në mungesë të dritës së diellit dhe të suplementëve që mund të të ndihmojnë, kërpudhat janë mënyra më e mirë për të ngritur nivelet e vitaminës D. Kërpudhat janë gjithashtu burimi i vetëm vegjetarian i vitaminës D (ergosteroli që gjendet tek kërpudha kthehet në vitaminë D kur ekspozohet në dritën e diellit). Kërpudhat janë një burim i mirë i vitaminës B që na ndihmon të marrim energji duke shpërbërë proteinat, yndyrnat dhe karbohidratet. Për më tepër kjo vitaminë luan një rol thelbësor për sistemin nervor. Betaglukanët që gjenden tek kërpudhat fuqizojnë imunitetin dhe japin rezistencë më të lartë ndaj alergjive. Seleniumi dhe ergothioneine që gjenden tek kërpudhat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmet e shkaktuara prej sëmundjeve kronike.