Ekonomi Hapet gara për ndërtimin e Milot-Fier, Balluku: Shpejtësia do të jetë 130...

Hapet gara për ndërtimin e Milot-Fier, Balluku: Shpejtësia do të jetë 130 km në orë. Ndikim në ekonomi

Segmenti rrugor Milot-Fier do të jetë autostrada e parë në Shqipëri që do të ketë shpejtësi maksimale që arrin deri në 130 km në orë. Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku në nisje të projektit të Korridorit blu. Balluku theksoi se nga 300 km që janë në total, Shqipërisë i përkasin 114 km, të cilat sipas saj do të jenë të segmentuara dhe të ndërtuara sipas parametrave të BE-së. Ajo shtoi se krahas ndërtimit të autostradës, do të ndërtohet edhe segmente dytësore.

“Korridori blu adriatiko-jonian do të lidhë Europën e veriut, Italinë me Europën Jugdlindore Shqipëri-Greqi, por nis nga Kroacia. 300 km në total korridor, segmentet tona janë 114 km. Të parat nga Miloti në Fier kemi vendosur ta segmentojmë duke u dhënë mundësi kompanive garuese. Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj e Fier janë akset përbërëse të këtij korridori që ne sot po i lançojmë për ndërtimin e tyre, ndërsa Thumanë-Kashar ka nisur puna nga Miloti-Muriqan po presim projektimin. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë kërkesë teknike që kemi pasur që të ndërtohet sipas parametrave të BE. Segmentet do të ruajnë parimet kryesore, ndërtimi i tyre nuk ka ndërvarësi nga njëri-tjetri kanë fizbilitet financiar si segmente të shkëputura dhe nuk shton koston totale të segmentit 114 km. Të gjithë segmente do jenë të shoqëruara me rrugë dytësore në përmbushje të parametrave të sigurisë rrugore, shpejtësia në aksin me pagesë do të jetë nga 90-130 km në orë”.

Sipas Ballukut kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit që nga punësimi, siguria rrugore dhe turizmi.

“Rëndësi për infrastrukturën kombëtare, lidh veriun e jugun, duke i krijuar Shqipërisë mundësi zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Ky do ketë ndikim direke e indirekt në ekonomi si rritja e punësimit, kushte më të sigurta drejtimi, siguri rrugore, kosto e ulet e transportit. Do të ketë ndikim në tregtinë e jashtme”.

Korridori Adriatiko-Jonian, i quajtur ndryshe Korridori Blu, është pjesë e Korridorit të madh mesdhetar prej 1560 kilometrash, një projekt rajonal e europian.