Bota Haradinaj fton në Prishtinë kryeministren serbe

Haradinaj fton në Prishtinë kryeministren serbe

Pavarësisht tensioneve me Beogradin dhe përplasjen për taksat ndaj importeve serbe, Kryeministri Ramush Haradinaj ka ndërmarrë ditën e sotme një nga lëvizjet më të papritura duke ftuar në Prishtinë kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç.

Burime për mediat kanë konfirmuar se Haradinaj synon të mbledhë kryeministrat e rajonit në prill në Prishtinë duke ftuar kështu edhe homologen e tij serbe.

Kjo do të ishte vizita e parë e Brnabiç në Kosovë dhe vizita e parë e një kryeministri serb në Prishtinë pas shpalljes së pavarësisë. Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negocimet e Zgjerimit Johannes Hahn pritet të ftohet gjithashtu në këtë takim.

Kryeministrja e Serbisë reagoi menjëherë pas raporteve duke thënë se deri më tani nuk ka marrë asnjë ftesë.

“Nuk kam marrë asnjë ftesë për një takim të tillë”, ka deklaruar Branabiç, e cila ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se po përpiqet t’u hedhë hi syve Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara duke organizuar një samit rajonal në Prishtinë.

Sipas burimeve, tema qendrore e këtij takimi pritet të jetë e ardhmja euroatlantike e rajonit dhe strategjitë për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ka kaluar njëzet vjet që nga përfundimi i luftës dhe që atëherë asnjë nga kryeministrat serbë nuk e ka vizituar Kosovën, edhe pse janë ftuar disa herë nga kryeministrat e Kosovës.

Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç kanë vizituar disa herë Mitrovicën dhe disa zona të tjera me shumicë serbe, por jo Prishtinën, mes frikës se kjo do të nënkuptonte njohjen e sovranitetit të Kosovës. Por po ashtu asnjë vizitë e kryeministrit apo presidentit të Kosovës nuk është realizuar as në Luginën e Preshevës e jo më ne Beograd.