Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj do të mbështesin mocionin e mosbesimit të LDK-së kundër Qeverisë së Albin Kurtit.
“Sot takova ish-Kryeministrin dhe Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa për të diskutuar Mocionin e Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. E informova z. Mustafa se AAK do të votojë për këtë mocion, sepse Qeveria Kurti jo vetëm që do të jetë Qeveria më jetëshkurtër por edhe më e dëmshmja për Kosovën. AAK përkrah një zgjidhje të shpejtë pas rrëzimit të Qeverisë përbrenda institucioneve të vendit”, shkroi Ramush Haradinaj në rrjetet sociale në mbishkrimin që shoqëronte një foto të shkrepur nga takimi i tij me Isa Mustafën.
Haradinaj thotë se ka argumente të mjaftueshme për dorëzimin e mocionit të mosbesimit dhe që në Kuvend të rrëzohet Qeveria “Kurti”.
Haradinaj rendit katër arsye, që nga heqja e taksës dhe prishja e marrëdhënieve me SHBA, përçarje dhe keqmenaxhim të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe me qëndrimet e sjelljet e saj ka rrezikuar investimet ndërkombëtare në Kosovës.
Neni 100 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rregullon mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.