Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha një ditë më parë se nuk do të pranojë që mësuesit të marrin vaksinën kineze.
Kjo deklaratë e tij u përcoll me interes për shkak se Shqipëria pak ditë më parë u tregua e gatshme, që t’i dhuronte Kosovës dozat e nevojshme për të nisur injektimin e mësuesve në qytetin e Kukësit.
Analisti, Baton Haxhiu në emisionin” Shock” në Euronews Albania kritikoi ashpër shefin e qeverisë Albin Kurtin duke thënë se ai po bën “rolin e patriotit në kurriz të shëndetit të qytetarëve”.
“Ky vazhdon të jetë populist i papërmirësueshëm edhe me shëndetin. Ky njëri realisht nuk e kupton se çfarë është vaskina dhe çfarë është shëndeti i njerëzve dhe bën politikën e patriotit të madh duke thënë se vaksinat kineze dhe ruse janë ato të cilat, do të refuzohen për shkak se nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Dy gjëra duhet t’i themi: ky (Kurti) është lexues i veprave ruse, për arsye se në secilin burg asgjë nuk të ofrojnë, përveç Tolstoi dhe Dostojevskit etj”, tha ai.
Ai u shpreh se ky vendim i z. Kurti nuk ka arsye logjike pasi mallrat e Kinës gjenden kudo.
“E dyta nuk ka dyqan në Kosovë që nuk ka mallra kineze, po të ishte ky burrë edhe kryeministër i mirë, në doganë do të ndalonte të gjitha mallrat kineze dhe do thoshte “ky shtet nuk na kanë njohur, dhe nuk mund të sillni mallra”. Nëse mallrat mund të hyjë, ku dekorojnë të gjitha shtëpitë tona, ai ndalon vaksinat. Çfarë t’i them këtij njeri, për çdo ditë e kam një zhgënjim”, tha ai.
Pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu, nëse refuzimi i vaksinës kineze mund të cilësohet si refuzim ndaj kryeministrit të Shqipërisë, për këtë Haxhiu jep këtë shpjegim: “E bën jo për shkak të vaksinave kineze, se nuk ka ndjeshmëri se ka dashur t’i vrasë deputetë ne gaz lotsjellës dhe ka përdorur armë brenda parlamentit. Tashmë e gjen argumentin që t’i kundërvihet Ramës në një moment elektoral dhe i thotë nuk i dua vaksinat kineze. E ka bërë për një arsye, për shkak se Rama e ka bërë publike thirrjen e tij. Nuk shoh arsye tjetër”.
Gjithashtu, Andi Bushati thotë se kryeministri Kurti duhet t’i pranonte vaksinat dhe rreshtimi i argumenteve se Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovë, nuk qëndron para jetës së qytetarëve.
“Unë them se duhet t’i pranonte. Nuk e di, nëse i ka refuzuar për arsyen që thoshte, është gabim”, theksoi ai.