Extra Helena flet për dashurinë me Ismail Kadarenë

Helena flet për dashurinë me Ismail Kadarenë

Helena Kadare, e ftuar “Në Kurthin e Piter Pan”, përballë vogëlushëve kuriozë, foli për dashurinë dhe martesën me shkrimtarin Ismail Kadare.

Ajo tregoi se para se ta takonte dhe të dashurohej me të, i njihte të gjitha poezitë e shkrimtarit, ndërkohë që Ismaili nuk e njihte fare.

“Ai mori çmimin e Republikës, unë isha nxënëse në gjimnaz dhe të gjithë e dinin që i dija përmendsh të gjitha poezitë e tij dhe më kishin shtruar fotot e tij të gazetës. Ai nuk më njihte fare”, u shpreh Helena.

“Unë botova një tregim te ‘Zëri i Rinisë’. Ai ishte në Moskë, kishte përfunduar studimet këtu dhe kishte shkuar për specializim. Atje shkonin gazetat shqiptare në një hotel në Moskë. Ai pa këtë tregim dhe më bëri 3 rreshta (ku më shkroi): “Lexova tregimin tuaj, shkruani dhe mos u trembni”. I gjithë gjimnazi e mori vesh këtë gjë që erdhi kjo letër. Pastaj, kur erdhi në Shqipëri, u njohëm rastësisht në rrugë”, tha Helena.

Helena tregoi edhe se nuk ka një unazë martese nga i shoqi, pasi asokohe ishin një brez “modern” dhe të tilla simbolika nuk preferoheshin prej tyre.

“Nuk më ka dhuruar unazë, sepse ka qenë një brez që e quanin veten shumë modernë dhe përjashtonin zakonet e vjetra. Atëherë ka qenë diçka konservatore, jashtë shijeve tona”.

Ajo tregoi se nuk ka marrë as një propozim martese dhe se ceremonia e tyre kishte nevrikosur njerëzit:

“Në atë kohë nuk kishte një propozim martese. Unë isha në konvikt, isha studente e vitit të parë dhe ishte ‘Lidhja e Shkrimtarëve’. Ismaili ftoi të gjithë shkrimtarët e ‘Lidhjes së Shkrimtarëve’ dhe unë ftova të gjitha shoqet e konviktit, duke zemëruar jashtëzakonisht shumë farefisin tonë dhe gjithashtu edhe gratë e shkrimtarëve që nuk ishin të ftuara”, tha ajo.

Në këtë festë janë njohur edhe shkrimtari Dritëro Agolli dhe e shoqja, Sadija.