Aktualitet Hetimet me amerikanët që zbuluan skemën sesi iu shkaktua 1.5 mln USD...

Hetimet me amerikanët që zbuluan skemën sesi iu shkaktua 1.5 mln USD dëm shtetit shqiptar

Hetimet disa mujore që çuan në arrestimin e 6 zyrtarëve të administratës shtetërore dhe shpalljen në kërkim në 2 personave të tjerë nisën pas një kallëzimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Albpetrol.

Sipas Tv Klan, hetimet zbuluan se shoqëria “Phoenix Petroleum” që drejtohej nga Naim Kasa dhe Isuf Berberi, e cila me Marrëveshje Hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte. Me qëllim plotësimin e detyrimeve për Programin Minimal të Punës dhe në kushtet kur këto investime nuk janë kryer, kjo shoqëri ka paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore 8 fatura të falsifikuara për shërbime, të cilat në fakt nuk janë përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service.

Falsiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1,299,000 USD.

Punonjësit e AKBN të arrestuar Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, Rezarta Qose dhe Klodian Gradeci (ish-drejtori i AKBN), aktualisht në kërkim, kanë certifikuar në mënyrë të kundërligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të kryera. Po kështu, punonjësit e administratës tatimore Arben Doda dhe Simon Marku kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë të mundur që kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej 568.000 USD.

Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundërligjshme të punonjësve të saj është 1.427.766 USD.

Policia e Tiranës njoftoi këtë të mërkurë arrestimin e 6 zyrtarëve ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre edhe biznesmeni Isuf Berberi. Të arrestuarit janë punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe punonjës të Tatimeve.

Në pranga kanë përfunduar Qani Hoxhaj, Denis Durrsi, Arben Doda, Simon Marku dhe Naim Kasa, të gjithë punonjës të AKBN. Ndërkohë, në arrest shtëpie është lënë Rezarta Sulejmani.

Sa i përket të shpallurve në kërkim, ata janë Klodian Gradeci, 45 vjeç dhe Isuf Berberi, 51 vjeç, biznesmen.

Personat më lart akuzohen për kontrabandë me mallra që paguhet akcizë, fshehje të të ardhurave dhe shpërdorim detyre.