Policia e Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë ka nisur aksionin për ndalimin dhe arrestimin e personave përgjegjës për 51 viktimat e tërmetit të 26 Nëntorit.
Burime nga policia sqarojnë se janë ndaluar 17 persona, mes tyre ish-zyrtarë të legalizimeve, inxhinierë, specialistë hipoteke, por edhe dy drejtues të Kavalishencës Durrës, drejtori Ahmet Doda dhe nëndrejtori Kujtim Hasa.
Të ndaluarit po merren në pyetje në lidhje me këto ngjarje, pasi objektet që u shemben rezultuan me probleme të mëparshme.
Bëhet me dije se Prokuroria ka grupuar në një të vetme dosjet e të gjitha objekteve të shembura më 26 Nëntor dhe që shkaktuan të vdekur e të plagosur.
Tek objektet ‘Mira Mare’, Kavalishenca, pallati 6-katësh pranë Kryqit të Kuq në lagjen nr.18, pallati 6-katësh tek zona e “dy gjelave”, hotel “Tropikali”, vila 4-katëshe në ish-kënetë dhe hotel “Vila Palma”, janë përqendruar hetimet që në ditët e para.
Nga shembja e këtyre objekteve pati viktima, ndaj dhe hetimet u regjistruan nga organi akuzës për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.