Aktualitet Hetimi i SPAK për dosjen 339, dy nga komisionerët rezultojnë të vdekur

Hetimi i SPAK për dosjen 339, dy nga komisionerët rezultojnë të vdekur

Dy prej 22 ish-komisionerëve për të cilët SPAK firmosi një ditë më parë urdhërarrestet kanë ndërruar jetë një muaj më parë.

Bëhet fjalë për Kasem Lalën nga PS dhe Besim Bregun nga PD, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e arrestit në mungesë.

Kjo ka ndodhur pasi ata nuk janë çregjistruar ende nga regjistrat e gjendjes civile.

Një ditë më parë u ekzekutuan 22 urdhërarreste ndaj ish-komisionerëve zgjedhorë pasi SPAK ka provuar se kanë lejuar votimin e parregullt të personave në emër të shtetasve që ndodheshin jashtë shtetit në zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës.

Tri episodet e manipulimit të procesit zgjedhor janë zbardhur në kuadër të hetimeve për dosjen 339 ku edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është evidentuar në përgjime me vëllezërit Avdylaj.

Gjykata Speciale ka caktuar masat e sigurisë arrest me burg për 11 persona, arrest shtëpie për 8 të tjerë dhe detyrim paraqitje për 3 të pandehur.