Histori Historia e pabesueshme e diversantit/ Apostol Goci tregon angazhimin e amerikanëve dhe...

Historia e pabesueshme e diversantit/ Apostol Goci tregon angazhimin e amerikanëve dhe shpërblimin që i dhanë

Biznesmeni Apostol Goci ishte dje i ftuar në emisionin “Ftesë në 5” në Top Channel ku ka rrëfyer historinë e veçantë të Muhamet Hoxhës, diversanti që hyri më 3 korrik të 1951 në Shqipëri, së bashku me 200 ushtarë të tjerë, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Goci tregoi se me Hoxhën ishte njohur në moshë shumë të re, kur ishte vetëm 20 vjeç dhe punonte në ndërmarrjen e bonifikimit në Gjirokastër. I sapo liruar nga burgu, Muhamet Hoxha, edhe ai nga Gjirokastra, nuk kishte hyrë në asnjë prej dhomave të punëtorëve pasi kishte qenë i dënuar. Goci tregon se e mori diversantin në dhomë dhe që prej asaj dite u krijua një raport i veçantë miqësie midis të dyve.

“Unë e pyeta, tregon Apostol Goci, nuk ke frikë se mos të spiunoj? Jo, mu përgjigj, ti ke bërë një veprim që nuk e kam parë as jashtë vendit”.

Muhamet Hoxha u largua si zogist nga Shqipëria dhe qëndroi për një kohë në Gjermani. Pasi u mor nga ushtria e Bashkimit Sovjetik, u dërgua në Stalingrad (Shën Peterburg) për të punuar. Por duke qenë se nuk punonte dot në rindërtimin e qytetit, Hoxha u arratis për t’u vendosur në Bari të Italisë.

Në qytetin italian, përtej brigjeve të Adriatikut, Muhamet Hoxha dhe grupi që mbështeste Mbretin Zog organizohen për të rrëzuar regjimin e diktatorit Hoxha. Ata u trajnuan nga agjencitë e specializuara amerikane, të cilat i nisën më pas drejt Shqipërisë.

Më 3 korrik të 1951, Muhamet Hoxha hidhet në Delvinë, por aty identifikohet nga forcat e Sigurimit, të cilat e arrestojnë. Gjyqi iu bë në kinemanë 17 nëntori në kryeqytet, ndërkohë që Goci tregoi në emisionin se çfarë kishte deklaruar Hoxha për këtë moment.

“Unë erdha që t’i jap demokracinë këtij populli, populli bërtet jashtë “në litar, në litar”, – rrëfen Goci fjalët e diversantit.

Muhamet Hoxha u dënua fillimisht me pushkatim, por pas reagimit të ashpër të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dënimi i ndërrohet në 25 vite burg.

Apostol Goci tregon se Hoxha u dërgua në burgun e Burrelit dhe qëndroi aty për 10 vite ku u njoh edhe me Pjetër Arbnorin, që pas rrëzimit të komunizmit do të bëhej kryetar i Kuvendit.

Historia e Muhamet Hoxhës është rrëfyer edhe në librin “Unë, agjenti i CIA-s”, i shkruar nga Pirro Loli.

Por në emision ai tregoi edhe për jetën e diversantit në vitet e tranzicionit dhe angazhimin që shfaqi për të Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Pasi u prezantua me zyrtarë të ambasadës, tregon Goci, Muhamet Hoxhës iu dha një shpërblim prej 50 mijë dollarësh, që në vitet 1990 ishte një shumë e konsiderueshme.

Diversanti ndërroi jetë në shtëpinë e mikut të tij në korrik të 1994-ës.