Kosova Xhamajka mohon njohjen e Kosovës, Thaçi fajëson Çitakun

Xhamajka mohon njohjen e Kosovës, Thaçi fajëson Çitakun

Vlora Çitaku

Ministrja e punëve të Jashtme të Xhamajkës ka mohuar mëngjesin e të premtes njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke shuar entuziazmin që mbërtheu mbrëmjen e djeshme Prishtinën.

Në një postim ne Twitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili e ka falënderuar Xhamajkën, Kamina J Smith mohon raportet për njohjen.

“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, ka shkruar ajo.

Lajmin për njohjen nga Xhamajka u dha nga presidenti Thaçi, i cili theksoi ndër të tjera se kjo arritje vjen edhe si pasojë e kontributit të madh të kongresmenit amerikan Eliot Engel.

“Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. E di se ky është një rezultat i punës së madhe dhe lobimeve për vite me radhë, përfshirë edhe Eliot Engelin. Punë e shkëlqyer. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni”, shkroi Thaçi në Twitter.

Por presidenti Thaçi ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se përgjigje për këtë skandal duhet të japë Ministria e Jashtme e Kosovës, si dhe Ambasadorja Çitaku.

Zyra e presidentit ka thënë në një komunikatë për mediat në Prishtinë se lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka e kanë marrë nga Çitaku.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Pavarësinë e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk e ka njohur asnjë shtet, që prej vitit 2018.

Pasi Xhamajka mohoi lajmin, edhe qeveria e Kosovës e ka drejtuar gishtin nga ambasadorja Vlora Citaku.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se nëse lajmin e pavërtetë për njohjen e pavarësisë e ka dhënë Çitaku, ajo duhet të shkarkohet.

“Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta. Nëse vërtet lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, ka shkruar Pacolli në Facebook.