Ministri i Jashtëm Holandës, një prej vendeve më skeptike për kushtet e plotësuara nga Shqipëria në rrugën drejt hapjes së negociatave, tha nga Tirana se Amsterdami mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Stef Blok, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun Bushati, tha se “Holanda është e angazhuar dhe e përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Shteti ligjor dhe demokracia qëndrojnë si vlera themelore të BE-së dhe ne shikojmë se qeveria e Shqipërisë është fuqimisht e dedikuar në këtë fushë dhe po kryen hapa seriozë.”
Ai tha se Holanda dhe Shqipëria po punonin sëbashku edhe për të luftuar migrimin e paligjshëm në BE dhe dekurajimin e shqiptarëve për të kërkuar azil në këto shtete.
Blok tha se raporti i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në reformat e kërkuara para hapjes së negociatave do të jetë vendimtar për votën e Holandës në Qershorin e vitit 2019.
“Pa pasur këtë raport në dorë nuk mund të them asgjë për qëndrimin tonë përfundimtar”, tha ai. “Ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë, por në bazë të progresit të dukshëm dhe konkret. Të njëjtin mesazh u kam dhënë edhe vendeve të tjera aspiruese”, tha ai.
Ndërsa Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, u shpreh shpresëplotë për një vendim pozitiv të KE-së dhe vendeve anëtare në Qershor.
“KE ka bërë rekomandimin, këshilli ka vendosur një kalendar të qartë, detyrat po ashtu janë të qarta. Besoj është bërë një progres i madh për sa i përket reformave të sundimit të së drejtës dhe në ekonomi. Jam shpresëplotë se KE dhe vendet anëtare do t’i japin dritën e gjelbër nisjes së negociatave për anëtarësim Shqipërisë.”