Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok, ka raportuar në Parlamentin holandez duke thënë se derisa Shqipëria të plotësojë të gjitha kushtet, negociatat e pranimit në BE nuk mund të fillojnë.
“Këshilli i 26 qershorit 2018 i dha Shqipërisë një rrugë konkrete me reformat e sundimit të ligjit që duhet të zbatohen para se të hapen negociatat e pranimit: vendi duhet të konsolidojë reformat gjyqësore dhe të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria vlerëson hapat që Shqipëria ka marrë gjatë vitit të kaluar. Qeveria thekson se Shqipëria do të duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Themelimi i Strukturës Speciale Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është i rëndësishëm në këtë kontekst. Derisa të plotësohen të gjitha kushtet, negociatat e pranimit me Shqipërinë nuk mund të fillojnë”, është shprehur Blok.
Ministri ka shtuar se rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave ishte i parakohshëm.