Debate me tone të forta dhe të ashpra janë shënuar gjatë seancës së sotme plenare, teksa në foltore ishte ngritur për të folur deputeti socialist Eduard Shalsi. Deputeti po i bënte thirrje opozitës që të jenë të duruar.
“Për çfarë, kush ju ka penguar? Nuk ka ndërmend t’ju pengojë njeri. Kështu siç jeni duke u sjellë keni një zakon të tmerrshëm. Ky padurimi për të reaguar teksa tjetri flet. Është çështje edukate, çështje durimi. Nëse nuk do të jeni të duruar të dëgjoni nuk do të mësoni kurrë dhe ndaj jeni katandisur kështu”, tha Shalsi.
Por menjëherë pas kësaj fjalie ka nisur një debat me tone të forta dhe të ashpra nga ana e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Ai i është drejtuar Shalsit me fjalët “plehrë”, “fundërrinë”, “hajdut” etj.
Lulzim Basha: Pusho mor ti, po flet për katandisje ti. Plehrë. Kujt i flet kështu ti more.
Eduart Shalsi: Shihe shembulli.
Lulzim Basha: Maskara. U bëre ti të bësh moral, hajdut. Gjysma këtu duhet të jeni në burg, fundërrinë. Mos m’u drejto mua ashtu ti, fundërrinë. Ta jap unë kontekstin ty dhe të tjerëve këtu, more vesh. Edhe të tjerëve.
Eduard Shalsi: Nuk e ke kuptuar kurrë sa i dobët je. Trashja jote e zërit dhe të bërit si i fortë mund të trembë ndonjë laraskë rreth teje, por jo. Përveçse më bën për të qeshur me këtë mënyrën tënde të bërit të fortit mos na shpërqendro kemi diskutim.
Lulzim Basha: Mbaro fjalën aty, boll bëre dërr-dërr-dërr. S’do dëgjojmë dënglat e tua. Ju jeni një tufë horrash e banditësh. Koha juaj ka filluar të mbarojë, e dini shumë mirë.