Sport Humanizmi, lavdia dhe fundi tragjik i “Qytetarit të Nderit” të Memaliajt, Hamza...

Humanizmi, lavdia dhe fundi tragjik i “Qytetarit të Nderit” të Memaliajt, Hamza Muka

Memaliaj, qyteti ku u lindën dhe u rritën edhe njerëz të veçantë, humanë dhe me zemër të madhe. Një prej tyre, është edhe memalioti, Hamza Muka.

Ai u lind në Memaliaj, më 22 shkurt të vitit 1961, me prindër Hava dhe Sulo Muka. Pasi u arsimua në vendlindje, vazhdoi një kurs dyvjeçar për shoferë, që përgatiteshin për kohë lufte dhe punoi në këtë profesion, me autobus dhe kamione të tonazheve të ndryshme, në disa ndërmarrje, përfshi edhe atë të tranzitit duke transportuar qymyrguri nga Fabrika e Pasurimit të këtij minerali, për në vende të ndryshme të Republikës. Shërbimin ushtarak, e kreu në një nga repartet ushtarake të Republikës.

Si gjithë memaliotët e tjerë, u rritë me një dashuri të veçantë për futbollin, duke luajtur nëpër rrugicat e lagjes dhe fushat e zeza të qytetit, ku u shqua për lojën e tij të shpejtë, fizike dhe teknike, që e bënin edhe shënues golash nga ndeshja në ndeshje, që ndiqej nga qindra sportdashës vendas.

Hamza Muka ishte i mirënjohur edhe si një ndër sportdashësit më të flaktë memaliotë, që e ndiqte ekipin e futbollit “Minatori”, jo vetëm në çdo ditë stërvitore, ndeshje kontrolli dhe miqësore, por edhe ato zyrtare që luheshin në Memaliaj dhe nëpër rrethe të ndryshme.

Për të ndjekur ndeshjet jashtë rrethit, memaliotët shkonin me autobusët e linjave, makinave të rastit apo me këmbë, duke udhëtuar me orë të tëra. Mbajë mend, kur kemi udhëtuar disa orë me këmbë, së bashku me disa memaliotë të tjerë si: Flamur Hoxha, Maksim Halili, Selam Kocali, Viktor Hoxha, Pëllumb Balliu, Hamza Muka, …etj, duke shkuar për të parë ndeshjen në Selenicë, pasi luante me Memaliajn. Hamzai, ecte shpejtë dhe fliste plot entuziazëm për futbollistët, ekipin dhe ëndrrën, se një ditë do të dëshironte të shikonte ekipin në Kategorinë e Parë, ëndërr kjo e vjetër e të gjithë memaliotëve.

Në vitin 2009, u zgjodh Presidenti i Klubit të Futbollit Memaliaj, dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2010, që shënoi edhe fundin e kampionatit më të suksesshëm në historinë e këtij qyteti. Në atë kohë, Shef Klubi, ishte futbollisti veteran, Asllan Seferi (2007-2013). Rregulli ishte, nëse donatori ishte presidenti, kishte kompetenca të plota të emëronte edhe Shefin e Klubit. Në këtë rast, donatori ishte Hamza Muka, i cili hodhi gjithë kursimet e tij, për klubin, por nuk e hoqi veteranin, Asllan Seferi.

Përgjatë kësaj kohe, punonte si shofer i kompanisë “Vlora Super Express”, që mbulonte transportin e linjës së udhëtarëve Athinë – Vlorë, kundrejt një page mujore prej 800.000 të vjetra.

Klubi i Futbollit të Memaliajt, nën drejtimin e presidentit, Hamza Muka, arriti suksesin më të madh në historinë e futbollit, i cili lidhet prej dekadash me qytetin Memaliaj, sportdashësit, banorët e saj dhe të zonës përreth.

Ishte ekipi i futbollit “Memaliaj”, me trajner Prof. Vladimir Bushin, në vazhdimësi të trashëgimisë së ekipit me emrin “Minatori”, i cili fitoi dy trofetë e sezonit futbollistik 2009-2010-tē: Trofeu i parë, ishte shpallja e ekipit “Memaliaj”, kampione e Kategorisë së II-të, ku fitoi ndeshjen Përmeti 2-4 Memaliaj, që e nxori në Kategorinë e I-rë; Trofeu i dytë, ishte fitorja e Superkupës së Kategorisë së II-të, duke luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”, kundër ekipit të Gramshit, ku fitoi 2-0, me golat e Dritan Seferit dhe Erjon Tata. Kjo ndeshje u luajt në stadium të mbushur plot e përplot me memaliotë.

Fondi i Bashkisë së Memaliajt, për Klubin e Futbollit, ishte vetëm 30 milion lekë të vjetra, ndërsa presidenti Muka, shpenzoi edhe 30 mijë euro të tjera nga kursimet e familjes së tij, për të mbështetur futbollistët dhe tifozët memaliotë, për të realizuar ëndrrën e madhe memaliote!

Kontributi i presidentit, Hamza Muka, ishte i gjithanshëm! Në radhë të parë, nuk pranoi që të bënte trafikimin e ndeshjeve, siç kanë bërë disa nga kolegët e tij, duke përfituar shuma të majme nga hiçi, pasi luanin bixhoz me ëndrrën e memaliotëve, ku përfshiheshin edhe ajo e prindërve të tyre. Shfrytëzoi në maksimum njohjet e tij me arbitrat dhe FSHF-së, jo për të blerë ngjeshjet, por vetëm e vetëm për të mbajtur drejtësi, dhe të fitonte ai ekip që e meritonte, pasi nga padrejtësitë është penguar disa herë dalja në Kategorinë e I-rë, e ekipit legjendar “Minatori”.

Presidenti, Hamza Muka, bënte gjurmimin, përzgjedhjen dhe afrimin e talenteve të futbollit nga rrethet e tjera, duke u paguar rrogat e majme, dietat e mëngjesit, drekës dhe darkës, pa harruar edhe qiratë e shtëpive ku ata banonin në Memaliaj. Gjithashtu, bënte shpenzime shtesë edhe në rrogat e lojtarëve të tjerë, dietat e ushqimit, deri tek baza materiale ku përfshiheshin: topat, këpucët, bluzat, çorapet dhe të tjerë artikuj që futen tek veshmbathjet. Ai vendosi edhe një disiplinë të fortë tek regjimi që duhej të zbatonin të gjithë futbollistët, si tek kufizimet e kohës pas stërvitjes, siç ishte ajo e argëtimit, mospirja e duhanit dhe e alkoolit, të cilat ose do i linin ose do të largoheshin nga ekipi.

Madje kujdesej edhe për transportin e tifozëve, ku me shpenzimet e tij, vinte në dispozicion 2-3 autobusë. Për këto të fundit, kishte ngarkuar djalin e tij, Gledian Muka dhe ish-futbollistin Edvael Hysi, pasi këta të dy ishin edhe shokë të ngushtë dhe ishin të përkushtuar, sikur të ishte një organizatë e legalizuar sportdashësish. Të dy kujdeseshin për organizimin e tifozëve, fishekzjarrët, dekorin e qytetit me flamuj, flamurët dhe pankartat që mbanin tifozët, megafonët, shallet sportive, e deri tek autokolonat e makinave që shoqëronin autobusin e sportistëve. Të dy, ishin të paraparë, pasi kishin një shpirt të veçantë komunikimi dhe organizimi, ku të gjithë memaliotët u tregoheshin të gatshëm, për të vënë në dispozicion edhe makinat dhe fugonat e tyre. E njëjta atmosferë, ishte edhe kur fituan Super Kupën, në Tiranë, ku stadiumi “Selman Stërmasi”, ishte mbushur vetëm me memaliotë.

Presidenti Hamza Muka, mrekullohej deri në përlotje, kur shikonte të mbushur plot e përplot me sportdashës, stadiumin “Karafil Asllani”, jo vetëm me memaliotë, por edhe nga rrethe të ndryshme si, Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Saranda, Fieri,..etj, të cilët mrekulloheshin kur përjetonin për 90 minuta, një lojë spektakolare të shoqëruar me një festë të vërtetë tifozerie nga vendasit.

Në ditën kur fituan ndeshjen 4-2, ndaj Përmetit dhe që i çoi në Kategorinë e I-rë, në kthimin drejt Memaliajt, ishte një autokolonë makinash me tifozë memaliotë, që arrinte deri në 4 km. Në këtë ndeshje, kishin ardhur memaliotë me banim nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga ata që banonin në Greqi dhe Itali. Parada festive e autokolonës, përshkoi disa herë qytetin e Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe në fund, mbërritën në Memaliaj. Pasi mbaruan paradën në qendër të Memaliajt, ku i priste i gjithë qyteti dhe e festuan me madhështi, ekipi dhe tifozeria u ulën në një nga lokalet në qendër të qytetit, ku të gjitha shërbimet i pagoi memalioti, Hamza Muka.

Në këto dy festa historike, bënë që të merrnin në krahë edhe trajnerin e ekipit Prof. Vladimir Bushin dhe futbollistët e ekipit si: golashënuesin Dritan Seferi, kapitenin Altin Zhupa, portierin Ervin Merdani, Alban Sharka, Meklaud Kashari, Artan Malasi, Krenar Bilaj, Adi Lika, Olti Rapa, Klodian Mustafaj, Armando Mata, Adelajd Caushi, Altin Fetaj, Klaudio Hoxha, …etj.

Edhe pse presidenti Hamza Muka, i bëri pa kushte mbështetjet financiare KFM, iu premtua nga Bashkia se do ia kthente të gjitha kursimet që kishte shpenzuar, pasi të arrinte dita që ekipi “Memaliaj”, do dilte në Kategorinë e I-rë. Kjo nuk ndodhi, siç iu premtua humanistit dhe liderit që bëri histori, i cili dha një kontribut të madh për të ngjitur Memaliajn, në të parën dhe të përjetonte ëndrrën e saj që nga dita e themelimit të futbollit në këtë qytet. Por kjo e detyroi të largohej nga drejtuesi i klubit, pasi ashtu si kursimet edhe shpresa, kishin mbaruar në shpirtin e tij! Përfundoi i papunë, duke ushtruar për momentin sportin e peshkimit buzë Vjosës, si e vetmja rrugë për të siguruar sadopak, e për të vendosur në trapezin e përditshëm të familjes së tij. Pas largimit të tij, president u zgjodh memalioti, Adriatik Kalemi.

Në vitin 2013, ishte insistimi i kryetarit të Bashkisë së Memaliajt, z. Lulëzim Meçe, i cili e propozoi Hamza Mukën, për Shef Klubi, por partia në pushtet, me një urdhër nga lart, befasoi edhe tifozët, duke emëruar ish-futbollistin Arben Shehu.

Memalioti i nderuar Hamza Muka së bashku me bashkëshorten e tij, Zana, sollën tre fëmijë në jetë: dy vajza dhe një djalë, të cilët quhen, Antoneta, Gledian dhe Çiçela. Familja Muka, është krenare për kontributin e tyre, që i kanë dhënë qytetit të Memaliajt, që në ditët e para të themelimit të saj, duke filluar nga prindërit e kësaj familje të madhe, Hava dhe Sulo Muka, të cilët kanë punuar me përkushtim dhe ndërgjegje të lartë në minierë e sektorë të ndryshme të ekonomisë dhe gëzonin respektin e të gjithë bashkëqytetarëve. Përkushtimin e tyre, e çuan më tej edhe fëmijët e tyre, emrat e të cilëve janë: Lutfie, Hamzai që skaliti në histori, Albana dhe Dritani.

Në kujtesën time dhe shumë memaliotëve të tjerë, që e duan vendlindjen, do të ngelet ai djalë fisnik që e desh futbollin me gjithë zemër dhe që njihet me emrin Xake, i cili me ato mustaqe që mbante dhe me lojën e tij spektakolare nëpër fushat e zeza të qytetit apo në kampionatet e ndërmarrjeve, i thërrisnin edhe Xakareli (Renato Zaccarelli), një nga lojtarët e famshëm të historisë së kombëtares italiane. Xakia apo Xakareli memaliot, mbahet mend edhe për tifozllëkun e tij të flaktë, që i bënte kombëtares italiane, kur luante në kampionatet europiane dhe ato botërore, të cilat i ndiqte nëpërmjet transmetimeve të RTSH.

Do të jetë një zhgënjim akoma më i madh, për të gjithë brezat memaliotë dhe ata që do e trashëgojnë këtë emër, nëse Këshilli i Bashkisë Memaliaj, nuk e nderon këtë memaliot të devotshëm, me titullin e lartë, “Qytetar Nderi i Memaliajt”, që me veprën e tij të dalë nga një shpirt i pastër, ngelet një frymëzim ndër breza, jo vetëm për qytetin tonë, por edhe në shkallë vendi.

Mirënjohje pakufi, për gjithçka që ka bërë, për të realizuar ëndrrën e shumëpritur të memaliotëve; ëndrrën e atyre memaliotëve të vërtetë, që jetojnë në qiell dhe në tokë!

Edmond Ismailati