Presidenti Ilir Meta ka shprehur mirënjohjen për mjekun Grei Malo i cili dha ndihmën e tij për të shpëtuar banorët e mbetur në rrënoja në zonat e dëmtuara nga tërmeti.
Presidenti e ka nderuar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun Grei Malo, te cilin e ka cilësuar hero.
Meta thekson se Malo spikati me kontributin e tij të veçantë humanitar si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.
“Me nderim dhe mirënjohje të thellë, pata sot privilegjin të vlerësoja me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun hero Grei Malo, i cili zbriti në terren menjëherë pas goditjes së tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke hyrë nën rrënoja e shpëtuar jetë njerëzish në të gjitha zonat e dëmtuara, dhe spikati me kontributin e tij të veçantë humanitar si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.
Mirënjohje Grei Malos që dha një shembull të jashtëzakonshëm të sakrificës dhe profesionalizmit, duke na bërë krenarë dhe gëzuar respektin e të gjithë shqiptarëve!
Mirënjohje të gjithë anëtarëve të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile!”, shkruan Meta në rrjetet sociale.