Elton Pikli 32 vjeç është i arrestuari i pestë si person i dyshuar në përfshirjen e grabitjes së Rinasit më 9 Prill.
Pikli është me origjinë nga Kruja dhe ka qenë person me precedent të mëparshëm penal. Është pikërisht personi që shikoni në foto, për të cilin grupi hetimor beson se ka pasur rol aktiv në grabitjen e miliona Eurove në pistën e aeroportit të Rinasit.
32-vjeçari Pikli ka qenë edhe kandidat për këshilltar bashkiak në Bashkinë e Krujës në zgjedhjet vendore të vitit 2011, shkruan “Klan”
Kjo duket në dokumentin e mëposhtëm, ku Pikli ka garuar nën siglën e “Aleancës Arbnore Kombëtare”.
Policia e Shtetit tha zyrtarisht se Elton Pikli është arrestuar në kuadër të hetimeve për veprat penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Dy ditë më parë, në kuadër të këtyre hetimeve policia arrestoi Alkond Bengasi 34 vjeç, Renaldo Sula 25 vjeç, Saimir Çela 28 vjeç dhe 38-vjeçari Oltian Veseli.