Kryesore “I çmendi fare autobusi”, Berisha për fushatën e PS: S’kisha parë komedi...

“I çmendi fare autobusi”, Berisha për fushatën e PS: S’kisha parë komedi si kjo

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim sot me FRPD-në dhe kryetarët e degëve në Tiranë.

Gjatë këtij takimi, Berisha u ndal te mënyra si Partia Socialiste çeli fushatën e saj zgjedhore. Ai e cilësoi “komedi” fjalimin e Ramës, duke shtuar se kandidati i PD-së për bashkinë  e Tiranës Belind Këlliçi i ka trembur në mënyrë të tmerrshme kundërshtarët politikë.

“Hapi fushatën me nemoklaturën e tij, u mbante fjalime Belindës, Spiropalit, Ulsi Manjës dhe ata duartrokisin, nuk kisha parë ndonjëherë komedi si kjo. Pra, dy botë, njëra e shpresës, optimizmit , e kandidatëve të lirisë. Belind Këlliçi është kandidati më i shkëlqyer që u është ofruar ndonjëherë qytetarëve të Tiranës, i ka kompleksuar në mënyrë të tmerrshme, ju e keni vënë re sesi janë mobilizuar ose të fshehin në radhë të parë fushatën e Belindit, takimet e tij të njerëzishme me qytetarët dhe programin e shkëlqyer. Ose të përpiqen të hyjnë me autobusin e tij, kaq shumë merren me autobusin sa janë gati të bëhen pasagjerë. I  çmendi fare autobusi!

Edi Rama nga njëra anë fushatë me organizatën kriminale, e faktuar me djegësa dhe shumë afera të tjera, nga ana tjetër shohin epërsinë e tmerrshme të kandidatëve tanë, të Belindit në Tiranë, të Bardh Spahisë në Shkodër. Bashkia e Shkodrës është e transparencës, e qytetarëve e po kështu Luciano Boçi, ju e patë Elbasanin. Igli Cara, dhe nëse e vini re ju kandidatët tanë në çdo studio televizive janë me një epërsi të pakrahasueshme sepse thonë të vërteta dhe kanë sensin e qytetarëve, këto janë të vërtetat”, tha Berisha.

Berisha theksoi se mes Ramës dhe kryetarit aktual të Tiranës Erion Veliaj ekziston një armiqësi politike dhe jo vetëm.

“Kemi një start që nuk e kemi patur që nga viti 1992, ju e patë sot ai ishte i nxirë, e patë Edi Ramën në atë recitim të shkurtër, ajo nxirje flet shumë. E parandjen humbjen e tmerrshme! Erion Veliaj u tha qytetarëve të Tiranës, se kur Edi Rama ishte kryetar bashkie ju merrnit vetëm dy orë e gjysmë ujë, edhe këtë e gënjeu (qesh). Këtë e tha, dhe ky po ja kthen. Po mbjell një muaj rrjesht 60 pemë në ditë, 1800 pemë për t’i thënë se është pylli yt është 1800 herë mashtrim. Beteja zhvillohet me simbolika dhe armiqësia e tyre është shumë e thellë, edhe klanet i kanë. Kokat i hengshin njëri tjetrit, qytetarët do ua japin përgjigien, se nuk jemi ne për të qarë hallet e dy figurave më negative të politikës shqiptare në kohëra”, u shpreh ai.