Zlatan Ibrahimovic gëzon pamasë tifozët e Milanit. Edhe pse mes tij dhe klubit kuqezi nuk ka ende një akord për shkak të pagës së lartë që kërkon suedezi, Ibrahimovic i ka hapur dyert rikthimit te Milani. Zlatan i cili është aktivizuar për dy sezone te kuqezinjtë nga 2010-ta në 2012-ën duke shënuar 56 gola në 85 ndeshje, në një intervistë për Gazzetta Dello Sport i ka hapur dyert rikthimit të tij te Milani duke bërë të lumtur të gjithë tifozët e klubit 7-herë kampion Europe që kërkon një emër të madh në skuadër për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet në kampionat.
“Milano nuk është qyteti im i dytë, por është shtëpia ime e dytë”, deklaroi Zlatan. I cili më pas shtoi: “Kam kujtime të jashtëzakonshme nga ai qytet, dhe aty jeton një nga personat tek i cili kam më shumë besim”.
Për Ibrahimovic interesohet edhe Bologna me trajnerin Sinisa Mihajlovic që është një fans i madh i suedezit, por gjasat janë që 38-vjeçari të pranojë ofertën e Milanit. Pavarësisht distancës ekonomike fjalët e suedezit se nëse bëhet fjalë për një projekt që e stimulon ai mund të luajë deri në 50-vjeç, i japin shpresë Milanit dhe shanset që Zlatan të riveshë fanellën kuqezi po vinë në rritje nga dita në ditë.