Sport Icardi: Interit i uroj më të mirën, por nëse e takoj në...

Icardi: Interit i uroj më të mirën, por nëse e takoj në Champions…

Kalimi i tij në Paris ishte i papritur dhe i shpejtë. Megjithatë, Mauro Icardi, i intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, tha se nuk e harron Milanon dhe Interin, me të vërtetë. Ish-kapiteni zikaltër mban më shumë se një derë të hapur për rikthimin e mundshëm aty. Kur u pyet nëse qëllimi i tij është të qëndrojë te PSG, Icardi preferon të mos flasë me siguri: “Për këtë vit jam te PSG dhe qëllimi im është të jap maksimumin për këtë fanellë. Pastaj, në fund të kampionatit, rreth majit, ose qershorit, do të shohim se çfarë mund të ndodhë. Ende është herët për të thënë ndonjë gjë të sigurt në këtë drejtim. Në Itali u krijua një rreth vicioz, në qarqe të caktuara gazetareske, ku gjithmonë e ekzagjeronin kur ishte fjala për mua”.

Interi

Shkurt, zemra e tij mbetet në Milano, ashtu si familja: “Ne kemi një shtëpi afër “San Siro”, por gjithashtu po ndërtojmë një të re, sepse Milano është qyteti ku duam të vazhdojmë të jetojmë edhe kur ta lë futbollin”. Ndërkohë, Icardi vazhdon ta mbështesë Interin dhe uron që ish-shokët e tij të skuadrës të fitojnë titullin: “Atje është një trajner si Conte, i cili dëshiron të fitojë. Edhe lojtarët duan të bëjnë të njëjtën gjë. Varet nga ata, që ta vazhdojnë punën. Ne u përpoqëm ta zvogëlonim hendekun me Juventusin, i cili është akoma në krye. Nëse takohem me Interin në Ligën e Kampionëve? Si profesionist do të bëj çmos për të mbrojtur fanellën time të re”.

Argjentinasi shpjegon ndryshimin midis Interit dhe PSG, ku e ndan dhomën e zhveshjes me shumë kampionë të tjerë: “Këtu është pak më ndryshe se tek Interi, edhe pse nuk kam një vlerësim të vërtetë, sepse nuk kam luajtur në ekipe të tjera të shkëlqyera në të kaluarën”.

Lukaku

Në fund, për çudi, Icardi mbron trashëgimtarin e tij në “San Siro”, Romelu Lukaku, i cili tashmë është në shënjestër të kritikëve: “Unë nuk mendoj se Lukaku po kalon një kohë të vështirë. Ai përfaqëson një investim të madh për klubin, u mbështet fuqimisht nga Conte, ndaj duhet ta dëshmojë veten. Pritshmëritë janë të mëdha, por nuk është e lehtë për askënd të luajë në Itali. Serie A është kampionati më mbrojtës në Europë, mbase i duhet pak më shumë kohë për t’u përshtatur. Lukaku ka shënuar shumë në karrierën e tij. Jam i bindur se do të shënojë më shumë gola”.