Shpëtim Idrizi i PDIU-së ishte opozitari i radhës që hyri në Presidencë për t’u takuar me Ilir Metën për krizën politike dhe shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. I pyetur nga gazetarët në përfundim të takimit nëse do e pranonte Edi Ramën si kryeministër në një tryezë të mundshme politike, Idrizi nuk u shpreh kundër duke theksuar se “kur flasim për tryezë politike, çdo kryetar i një partie ka të drejtën të ulet.”
Ndryshe nga ky qëndrim i Idrizit, kryeopozitari Lulzim Basha mohon çdo dialog me Ramën për sa kohë që ai qëndron në pozitën e kryeministrit të vendit.
Në lidhje me krizën, kreu i PDIU-së tha se vendi po rrëshket drejt autoritarizmit, ndërsa vlerësoi aktin e presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin, pasi ndryshe do të rrezikohej pluralizmi politik.
Në lidhje me datën e re për zgjedhjet vendore, Idrizi tha: “Nuk është dita për të diskutuar për datën e re, por të ikim nga marria dhe spiralja ku jemi futur, që po e nxjerr vendin nga normaliteti.”
Idrizi tha gjithashtu se kryeministri Rama duhet t’i thërrasë arsyes dhe se pas dekretit kushtetues të Metës në Shqipëri nuk ka një datë për zgjedhjet.