Bilanci i viktimave nga një stuhi që ka mbërthyer Spanjën, Portugalinë dhe Francën, shkoi në tetë të shtunën mbrëma, ndërsa rajoni është përgatitur për më shumë erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm.
Një 32-vjeçare humbi jetën të shtunën në Madrid, pasi era e fortë shembi një pjesë të çatisë së një ndërtese. Një person humbi jetën po ashtu në Granada, pasi makina e tij u rrëmbye nga ujërat e një lumi që kish dalë nga shtrati.
Një 68-vjeçar në Andaluzi ndërkohë u zhduk pasi po bënte sërf në provincën Huelva të premten. Të tre këto viktima e çojnë në tetë bilancin e stuhisë Elsa që është përballur mbi Spanjën, Portugalinë dhe Francën jugore. Nga këto, gjatë janë regjistruar në Spanjë dhe dy në Portugali. Stuhia bëri që shtretërit e lumenjve të tejfryhen, linjat energjitike të ndërpriten dhe udhëtimi me trena në rajon të pengohet po ahstu.
Ndërsa stuhia Elsa po dobësohet teksa i afrohet Britanisë, autoritetet në Francë, Portugali dhe Spanjë kanë paralajmëruar për rreziqe të reja. Stuhia Fabien që po mbërrin me erëra prej 170 km në orë, në Galici, në Spanjën veriperëndimore, ka detyruar anulimin e 14 fluturimeve dhe devijimin e shumë të tjerëve. Shumë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike ndërkohë që i gjithë bregu i Galicisë dhe Asturias është në alarm të kuq për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të mëdha.