Zëdhënësi i Ilir Metës, Tedi Blushi ka reaguar pas njoftimit të Autoritetit të Dosjeve se një politikan i nivelit të lartë me iniciale I.M figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe është përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe si rrjedhojë ka kërkuar një ligj të veçantë.
Blushi i kërkon Autoritetit të Dosjeve të mos lodhë Kuvendin me këto çështje se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë, por të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe.
Postimi i plotë
Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin“Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë.
Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët).
Latë nam me patronazhistët e sotëm ju që paskeni merakun e “patronazhistëve” të komunizmit.
I bëjmë thirrje autoritetit të dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe!
Jetojmë në kohën e “pavarësisë” së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet.