Kryesore Imunologu Sulçebe tregon se kur duhet ta presim valën e dytë të...

Imunologu Sulçebe tregon se kur duhet ta presim valën e dytë të Covid-19

Mjeku imunolog Genc Sulçebe, deklaroi sot se viruse të tilla gripale ku bën pjesë edhe COVID-19, që përbëjnë 30% të gripeve stinore, kanë sezonalitete dhe gjatë verës ulet transmetueshmëria e tij, por nuk zhduket. Ata që janë të rrezikuar duhet të ruhen edhe gjatë verës.

Në një intervistë për A2. mjeku Sulçebe theksoi se “në vendin tonë zakonisht rikthehen nga nëntori. Mendoj se deri në nëntor nuk duhet të trembemi, ndërsa deri atëherë do të kemi imunizim të përgjithshëm të popullatës. Nuk shikoj ndonjë frikë nga rishfaqja e virusit, do kemi një bashkëjetesë me këtë virus, është makrorganizmi që do të fitojë e virusi do të zhduket”.

“Tani që ka nisur lirimi i masave, popullata duhet të mësohet me përdorimin e maskës. Duhet të mësohemi me mbajtjen e maskës tani që janë çliruar masat. Duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me këtë virus. Ka shumë sëmundje më vdekjeprurëse sesa koronavirusi, nuk duhet të tmerrohemi”, – tha ai.

Mjeku Sulçebe u shpreh se “virusi është kudo ku transmetohet nga njerëzit, por mjafton të ruajmë rrugët e frymëmarrjes që është masa më e thjeshtë dhe të mos rrimë në grupe njerëzish dhe të dezinfektojme duart. Të marrim masa higjienike mbrojtëse dhe presim deri sa të dalë vaksina”.

Sipas tij, është e vështirë të orientohemi, por duhet edukatë themelore të dimë që ky virus transmetohet nga njerëzit dhe mjediset e ndotura.

Prandaj, vijoi Sulçebe, duhet treguar kujdes për rrugët e frymëmarrjes. Jo të gjithë, sipas tij, janë të prekshëm nga virusi pasi preken moshat mbi 65 vjeç dhe ato që kanë sëmundje shoqëruese.

“Moshat e reja  e kalojnë infeksionin pa asnje shenjë, ose me shenja të lehta, por mbartin rrezikun e madh që transmetojnë infeksionin tek moshat mbi 65 vjeç dhe atyre që kanë sëmundje shoqëruese si sëmundje kronike të zemrës, tension të lartë, diabet, dhe sëmundje te tjera që e ulin imunitetin”, – nënvizoi Sulçebe.

Lidhur me lajmet e shumta që qarkullojnë mbi pandeminë, Sulçebe këshilloi që të bëjmë kujdes ndaj lajmeve të rreme apo teorive konspirative.

“S’ka nevojë të dëgjojmë informacione dizinformuese që mund të jenë edhe të dëmshme. Kam dëgjuar për një nobelist japonez që u tha se ai ka deklaruar se ka qenë në laboratorin e Wuhanit dhe aty kishte kuptuar origjinën e virusit. Ishte një lajm krejtësisht i rremë që u përhap dhe ishte çorientues. Ka edhe shumë teori konspirative në të gjithë botën. Secili thotë gjithçka dhe është vështirë për njeriun që të orientohet. Është e dëmshme që të thuash se koronavirusi nuk ekziston, që është shpikje dhe ne nuk ka nevojë që të ruhemi. Shkencërisht është e qartë se ky virus është kudo dhe transmetohet nga njerëzit. Mjafton të ruajmë rrugët e frymëmarrjes me maska, mos të rrimë në grup dhe të ruajmë higjienën. Kaq mjafton që të ruhemi, nuk ka nevojë për informacione të tjera që mund të jenë të dëmshme”, u shpreh mjeku Sulçebe.

“Shkencëtarët që botojnë në revista shkencore serioze thonë që nuk ka mundësi që ky virus të jetë krijuar në laborator. Ata thonë që ky virus është shumë i ngjashëm me një tjetër që është gjetur te lakuriqët e natës. Sipas tyre, duhej të paktën 20 vjet që ky virus të kishte evoluar dhe të kalonte te njeriu. Gjatë këtyre viteve, virusi mund të ketë kaluar në një kafshë ndërmjetëse që ka shërbyer si urë nga lakuriqi i natës te njeriu. E njëjta gjë ka ndodhur me HIV/AIDS, këto janë fenomene që ndodhin”, shtoi Genc Sulçebe.