Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur deklaratës së Sali Berishës, duke thënë se “fyerjet dhe shpifjet janë mungesë e argumenteve”.
Zyra e shtypit të selisë blu, nëpërmjet një komunikimi për mediat, bën me dije se fyerjet ndaj zëdhënëses së partisë janë mungesë e etikës së komunikimit.
“Fyerjet dhe shpifjet ndaj zëdhënëses së PD janë dëshmi e qartë e mungesës se argumentave dhe etikës së komunikimit të Sali Berishës. Mënyrë komunikimi që e shfaqin shpesh dhe një pjesë e pakicës që e mbështesin. Shoqëria shqiptare duhet të ndahet përfundimisht nga politika e vjetër, nga gjuha e urrejtjes dhe e linçimit. Demokratët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ata zgjedhin të ardhmen”, thuhet në njoftimin e PD.
Më herët, Sali Berisha reagoi në rrjetet sociale duke thënë se Lulzim Basha do të mbajë përgjegjësi personale për sulmin verbal dhe fizik, ndërsa theksoi se “deputeti Lulzim Basha nëpërmjet zëdhënëses së Çoles akuzoi sot Sali Berishën dhe Albana Vokshin se po tërheqin vëmendjen nga afera e incieneratorëve, vetëm për faktin se Albana Vokshi si kryetare e LDGSH shkoi në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar një mbledhje rutinë, të drejtë të cilën ja kanë dhënë përfundimisht 5 mijë delegatët që i hapën rrugë rithemelimit të Partisë Demokratike”.