Kryesore Infermierja e Spitalit Infektiv: Lufta jonë e përditshme me armikun e padukshëm

Infermierja e Spitalit Infektiv: Lufta jonë e përditshme me armikun e padukshëm

Anxhela Murra është shembull i përkushtimit dhe sakrificës për profesionin, çdo ditë në vijën e parë të frontit në shërbim të pacientëve të prekur nga Covid-19, në spitalin infektiv, me misionin për të shpëtuar jetë.

Shenjat në fytyrën e Anxhelës, pas një dite të gjatë pune, janë prova e sakrificës së saj të përditshme në përballjen me armikun e padukshëm. Anxhela thekson se këto shenja dhembin, por janë më të bukura se make-up, sepse tregojnë humanizëm dhe punën që ne bëjmë për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Intervistoi: Lisana Subashi

Anxhela jeni çdo ditë në vijën e parë për t’i shërbyer pacientëve me Covid-19. Sa e vështirë është për ju?

Në fakt është e vështirë sepse në këtë kohë je e detyruar të vishesh si astronaut dhe lufton me një armik që nuk e sheh, thjesht duhet të jesh “dinake” dhe t’i ruhesh, ose t’i fshihesh.

Sa të frikësuar janë pacientët?

Kur futesh tek ata pacientë, duhet të harrosh gjithçka është një botë komplet tjetër. Sa futesh në dhomë dhe i përshëndet, shikon që buzëqeshin sepse ne, në sytë e tyre jemi shpëtimtarët. Në fakt ne jemi gjithçka për ta në këto ditë të vështira përpos lehtësimit të dhimbjes duhet të jemi shumë të durueshëm t’i dëgjojmë deri ne fund. E di që ana psikologjike është ajo që i rëndon më shumë, sepse janë të vetëm duke luftuar, nuk kanë ku të shprehen veçse tek ne, bluzat e bardha, prandaj ne jemi gjithçka për ta.

A është bërë puna juaj më e lodhshme se më parë?

Normalisht puna është shumë më e lodhshme dhe ne jemi tepër të ndjeshëm, sepse lidhemi shumë me ata pacientë duke qenë se kalojmë shumë kohë me ta. Lodhja fillon që te veshja. Je e detyruar të mbash dhe maska për më shumë se 6 orë dhe normalisht dhe për ne bie niveli i oksigjenit, je e detyruar të mbash syze që të vishen me avull dhe e ke të vështirë të manipulosh dhe nga sikleti i kësaj t’i djersitesh dhe normalisht ajo djersë të thahet në trup.

Sa e trishtë është kur përballeni me pacientë që nuk e fitojnë luftën me Covid?

Duke qenë se lidhemi më shumë me pacientët normalisht edhe humbjet e tyre i përjetojmë shumë. Ata do mbeten gjatë në mendjen tonë, sepse janë njerëz që i njohëm në ditë të vështira.

Keni ndihmuar pacientët të kontaktojnë në video me familjarët?

Po përveçse rolin e infermierit, kemi bërë dhe “postën”, mundohemi të jemi ura midis tyre dhe familjarëve.

Ka ndonjë histori që të ka lënë mbresa?

Të gjithë kanë histori të ndryshme dhe të gjitha historitë do mbesin gjatë në memorien tonë.

Jeni e frikësuar për veten tuaj?

Nuk jam e frikësuar për veten se duke qenë se jam në moshë të re unë mund ta përballoj. Frika më e madhe për ne janë familjarët, nuk duhet të bëhemi ne shkaktarë për ta. Jemi të detyruar të mos i përqafojmë, të rrimë në dhoma më vete dhe shikohemi vetëm me sy 1 metër larg.

Maskat lënë shenja në fytyrë, a janë ato të dhimbshme?

Siç e thashë dhe më lart, e gjithë veshja është një mundim i madh për ne, por për mua ato shenja janë më të bukura sesa make-up. Unë përveç dhimbjes që kam në fytyrë më zgjohet dhe ndjenja e humanizmit, dhe aty kupton që ti me të vërtetë po bën diçka për shqiptarët.

Cili është një mesazh që ju si infermiere jepni për të gjithë shqiptarët?

Është thënë me mijëra herë, por nuk është gabim ta përsërisësh “Rrini në shtëpi” kujdesuni për higjienën vetjake dhe ruani distancën. Këtë kohë kemi kuptuar që bashkë bëjmë shumë dhe bashkë do ia dalim në këtë luftë. / TvT.al