Davide Pecorelli, ish-arbitri italian i futbollit, i cili inskenoi vdekjen e tij në qytetin e Pukës, në një intervistë të dhënë për mediat italiane shpreh dëshirën për të vuajtur në Shqipëri dënimin që mund t’i jepet.
Mediat italiane theksojnë se në ditët në vijim pritet që prokuroria e Pukës të kërkojë gjykimin ndaj Pecorellit për zjarrvënie dhe vjedhjen e eshtrave të një njeriu në varr. Akuza jo shumë të rënda, por që mund ta çojnë në burg.
“Jam i gatshëm të përfundoj pas hekurave në Shqipëri, dua të kthehem, aty kam lënë miq dhe vende që dua. Nëse dënimi është i drejtë, unë do të paguaj për atë që më kontestohet”, theksoi Pecorelli.
Pjesë nga intervista:
Megjithatë, zgjedhja jote ishte e guximshme…
Pecorelli: Po, meqë ra fjala, tashmë i kam kërkuar falje të gjithëve në Shqipëri, përfshirë kryetarin e bashkisë Pukë dhe në çdo rast të gjithë komunitetit. Fatkeqësisht kam bërë disa gabime: siç dihet tashmë kur mbërrita në Tiranë në janar, po kaloja një moment shumë të vështirë në jetën time. U përpoqa të bëja vetëvrasje dhe ai prifti që takova rastësisht më shpëtoi. Atëherë ju e dini historinë, periudha në bashkësinë e priftërinjve në Medjugorje ishte thelbësore: Unë do t’u jem mirënjohës atyre përgjithmonë.
Por a është vërtet e sigurt të kthehesh dhe të rrezikosh burgun?
“E kuptoj që është një zgjedhje e rëndësishme – vijon ai – por nëse kjo më jep mundësinë të jem qytetar i lirë edhe në Shqipëri, atëherë jam gati për çdo gjë”.
Keni folur me miqtë e Vlorës në telefon?
“Dëgjohemi shpesh me njëri-tjetrin. Në fillim ata nuk kishin besim, pasi kishin dyshime për identitetin tim të vërtetë, pastaj çdo herë ripërsëritnin ftesën për t’u rikthyer dhe për t’i takuar”.
Si ishte rikthimi në jetën e përditshme?
“Po shpenzoj shumë kohë me familjen, me 4 fëmijët e mi. Sapo të mbaroj rregullimin e kaq shumë gjërave edhe në frontin e punës, do të përpiqem t’i rikthehem jetës së përditshme”.
E konfirmoni që nuk do të jeni më sipërmarrës në Itali?
“Po, siç e kam theksuar disa herë: në këtë drejtim synimi im është të themeloj një shoqatë për të mbështetur ata që, si në rastin tim, po përballen me krizë për shkak të punës”.
Por a e gjetët thesarin apo jo?
“Mund të ritheksoj vetëm se kam parë dy arkat me monedhat e arit të gjetura në Montecristo dhe në çdo rast kam njoftuar hetuesit për vendin e zbulimit…”.