Politika Lufta PD-LSI/ Bardhi i përgjigjet Kryemadhit: Nuk erdhën një ditë për fushatë...

Lufta PD-LSI/ Bardhi i përgjigjet Kryemadhit: Nuk erdhën një ditë për fushatë në qarkun e Elbasanit

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratës së bërë nga Monika Kryemadhi, lidhur me një pohim të deputetit demokrat se PD ka pasur vullnet për të dalë me një listë të përbashkët me LSI-në në zgjedhjet e 25 prillit.

Bardhi ka kujtuar një deklaratë të bërë nga zonja Kryemadhi dhe tha:

“Kryesia e PD s’është mbledhur se s’ka pasur dakortësi nga kryetarja e LSI për të pasur mundësinë që ti propozohej hyrja në një listë të përbashkët.

Qëndrimi konstant dhe publik i LSI ka qenë për dy lista të veçanta pavarësisht qëndrimit tonë që aksioni opozitar do maksimizohej me një listë. Qëndrimi i tyre ishte që ata do maksimalizonin votën me dy lista të veçanta, kujtoni që është thënë se me ndryshimet e njëanshme të kodit zgjedhor përfitonte LSI sepse nga 19 mandate që kishte marrë në 2017 ka thënë do merrte më shumë se 40 mandate, por në fakt biem dakort të gjithë që ato ndryshime të njëanshme dhe ai akt i paprecedentë i regjimit të Edi Ramës ishte dhunim flagrant jo vetëm i mundësisë që gjithë opozita të garonte sipas rregullave të njohura paraprakisht, por dhe një nga shkaqet që s’u përkthye në aq mandate sa duhet vullneti i popullit shqiptar”, tha Bardhi

“Një pyetje për të gjithë anëtarët e kryesisë së PD: Kur është mbledhur kryesia e PD për t’i propozuar LSI listën e përbashkët? Në cilën ditë dhe orë? Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara. Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”, ishte reagimi i kryetares se LSI, Monika Kryemadhi të enjten, pas deklaratës së Gazment Bardhit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi u pyet edhe për një deklaratë që ka bërë Elona Guri, ish-kandidate për deputete e LSI në një postim në rrjetet sociale, e cila ka akuzuar deputetin demokrat që nuk ka pranuar të dalë në konferencë për mediat për një person që njihet si ‘i forti i Elbasanit’.

“Unë kam dhënë me dhjetëra konferenca për shtyp, konferencat e mia janë publike. Ata që u fshehën dhe nuk erdhën një ditë në qarkun e Elbasanit edhe pse drejtuan qarkun e Elbasanit janë arsyeja e vetme pse LSI nuk arriti dot të merrte asnjë mandat në Elbasan. Ju e dini që LSI nuk ka zhvilluar fushatë në qarkun Elbasan”.

I pyetur cila është marrëdhënia e PD me LSI, Bardhi u shpreh: “S’kam dalë sot për të vlerësuar marrëdhënien me LSI. Deklaratë të pakuptimtë të kryetares së LSI ndaj një deklarate time normale dhe të vërtetë të një fakti publik të njohur edhe nga opinioni ku PD ka pasur vullnet për një listë të përbashkët me LSI për të maksimalizuar vullnetin e shqiptarëve dhe qëndrimit koherent të LSI për dy lista të veçanta. Kjo deklaratë imja mesa duket ka përbërë një shqetësim ndaj zyrtarëve të LSI, s’e kuptoj arsyen pse, se unë kam pohuar një fakt që më parë ishte pohuar dhe nga zonja Kryemadhi”.