Aktualitet Inskenoi vjedhjen e makinës me vlerë 180 mijë euro, arrestohet

Inskenoi vjedhjen e makinës me vlerë 180 mijë euro, arrestohet

Mercedes Benz S Class 63 AMG. Foto ilustruese

Një person është arrestuar nga Policia e Vlorës këtë të shtunë pasi dy ditë më parë kishte denoncuar vjedhjen e makinës së tij. Policia ka arritur të zbulojë se shtetasi nga Kosova, me inicialet G.H. kishte bërë kallëzim të rremë më 31 tetor, me qëllim shitjen e makinës.

Personi në fjalë ndodhej prej disa ditësh me pushime në Vlorë dhe raportoi në polici se i kishin vjedhur automjetin tip “Mercedes Benz S Class 63 AMG”. Sipas Policisë, makina kapte vlerën e 180 000 eurove nëse do të shitej sipas planit të shtetasit nga Kosova.

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të tij, një italian me inicialet M.C. dhe një tjetër shqiptar nga Kosova, me inicialet F.H.

Për të tre personat rëndojnë akuzat e “Vjedhjes së kryer në bashkëpunim” dhe “Kallëzimi i rremë”.