Instituti Shqiptar i Medias organizoi kursin dy-javor “Academia e Medias për Reformën në Drejtësi,” i cili kishte për qëllim të trajnonte gazetarët për pasqyrimin e temave të sistemit të drejtësisë në kuadrin e reformës në drejtësi. Trajnimi u organizua në datat 25 shkurt-8 mars, me pjesëmarrjen e 20 gazetarëve nga mediat e shtypit të shkruar, audiovizuale, dhe ato online.
Kursi i trajnimit bashkoi njohuritë për reformën në drejtësi, institucionet e saj dhe pasojat në procesin e reformës, me pasqyrimin profesional të reformës në drejtësi. Gjatë kursit gazetarët diskutuan me trajnerët ide të mundshme për artikuj dhe kronika në lidhje me këtë temë, duke caktuar një sërë temash dhe çështjesh që do të botohen si artikuj apo kronika në mediat përkatëse të gazetarëve pjesëmarrës.
Me qëllim njohjen sa më të mirë me legjislacionin, në ditët e para ekspertët ligjorë u përqendruan te reforma në drejtësi, ndryshimet kushtetuese, legjislacioni i ri, institucionet e reja të sistemit në drejtësi, procesin e vetingut, si dhe rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Vëmendje e posaçme iu kushtua procesit në vijim dhe mënyrës se si mund të përmirësohet mbulimi mediatik për këtë proces.
Trajnimi vijoi me anën profesionale të mbulimit, duke u përqendruar te parimet bazë të raportimit të sistemit gjyqësor, duke u ndalur dhe te natyra specifike e kësaj fushe, por edhe te formatet, përmbajtja, dhe qasja më e mirë e mundshme e medias ndaj gjithë procesit. Veçanërisht trajnerët u ndalën në tema të tilla si ndarja mes interesit publik dhe të drejtës për privatësi, raportimi me dyer të hapura dhe të mbyllura, prezumimi i pafajësisë, të drejtat e medias për të marrë informacion, etj.
Në fazën e fundit të kursit trajnerët i këshilluarn gazetarët në lidhje me idetë e tyre për shkrimin e artikujve, duke diskutuar përshtatjen dhe shtjellimin e temave, mes prezantimeve dhe diskutimeve në grup. Procesi i këshillimit përfshinte paraqitjen e temave dhe diskutimi në grup i tyre, idetë për kontekstualizimin e temave për burimet e informacionit, si dhe për formatin që mund të përdorej. Pjesëmarrësit do të vijojnë me shkrimin e artikujve për reformën, të cilat do të botohen në media.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).