Nga Entela Resuli / DITA
Kina ishte vendi i parë që provoi virusin që tashmë po kërcënon gjithë botën dhe po ashtu vendi i parë që mori masa drastike për mospërhapjen masive të tij.
Sot në Dita ju sjellim intervistën e Olta Myslimit, vajzës që jeton dhe punon si pedagoge e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Anglishtes së Biznesit në provincën e Hebeit, në Kinë.
“Që e vogël kam patur interes të madh për kulturën aziatike dhe Kinën e lashtë. Gjatë studimeve universitare na u ofrua për të mësuar gjuhën kineze dhe pa hezituar e zgjodha si mundësi. Gjatë studimit të gjuhës u njoha më pedagogë të gjuhës, të cilët më rekomanduan për të aplikuar për të dhënë mësim në Kinë. Besoj një nga vendimet më të mira që kam bërë. Një eksperiencë e veçantë dhe e vyer“.
Myslimi e cila një muaj më parë është kthyer në Shqipëri, në kohën kur virusi ishte shtrirë në qytetin e Wuhan, na tregon në këtë rrëfim masat që mori Kina dhe pse atje funksionoi disi më ndryshe se në Europë.
-Olta, ke qenë në Kinë në momentin kur shpërtheu virusi, mund të na tregosh ditët e para të përhapjes së tij dhe si u perceptua?
Virusi siç dhe mund ta keni lexuar në media u shfaq gjatë muajit dhjetor në qytetin e Wuhan. Gjatë asaj periudhe nuk kishim frikë, pasi nuk ishte përhapur ende në shifra alarmante dhe jeta vazhdonte normalisht. Jo të gjithë vendosnin maska, edhe pse në shumë qytete të Kinës vendosja e maskës është e domosdoshme për shkak të ndotjes së ajrit. Në fillimet e muajit janar, lexonim për virusin, por ende ishte i paditur për ne ajo ç’ka ai ishte i aftë për të shkaktuar. Rreth datës 23 janar ishte periudha kur përhapja e virusit mori përmasa përtej qytetit të Wuhan dhe nisi të shpërndahet në të gjitha provincat e Kinës. Tashmë nuk ishte thjesht një virus të cilin mund ta kalonim qetë. Për më tepër, korrespondoi me fillimin e Viti të Ri Kinez , ç’ka bëri shumë njerëz të frikësoheshin më tepër për shkak të lëvizjes së madhe të popullsisë dhe përhapjes së virusit në mënyrë më të shpejtë. Shteti nisi të kufizonte në fund të janarit pjesën më të madhe të fluturimeve ndërkombëtare si dhe filloi mbylljen e vendeve publike, qendrave tregtare, shkollave, transportit publik dhe taksive publike si dhe atyre private gjendeshin në një numër shumë të kufizuar. Qytetarëve ju rekomandua të qëndronin në kushtet e shtëpisë dhe të shmangin sa më shumë lëvizjet jashtë komuniteteve të tyre.
I gjithë vendi u vu në karantinë dhe lejoheshin vetëm për të dalë për të blerë gjërat e domosdoshme. Çdo ditë duhet të raportonim tek punëdhënësi nëse kishim temperaturë apo simptoma të virusit. Pranë çdo aeroporti, stacioni treni, supermarketi, hyrje në komunitete, ndodheshin një grup i posaçëm i autorizuar që kryente matjen e temperaturës të gjithë banorëve. Hyrja e personave të jashtëm në komunitetet ku banonim nuk lejohej. Sigurisht që ishte një situatë e re dhe e papritur për të gjithë. Disa ishin më të qetë dhe disa më në ankth.
Por populli kinez ka një disiplinë të mrekullueshme dhe zbatonin me përpikmëri të gjitha rregullat e vendosura nga qeveria kineze. Askush nuk mund të dilte jashtë pa vendosur një maskë mbrojtëse dhe lëvizja lejohej një herë në tre ditë.
-Cila ishte frika më e madhe e jotja?
Frika më e madhe e imja, sigurisht ishte marrja e virusit në stacionet e trenit apo aeroporteve dhe duke qenë e ndërgjegjshme që bartjen e tij mund t’ua transmetoja familjes në Shqipëri. Duke qenë fundi i semestrit dhe nisja e Vitit të Ri Kinez, kisha planifikuar të kthehesha për pushime pranë familjes. Ajo ishte frika më e madhe e imja pasi nuk doja të isha përgjegjëse për infektimin e pjesëtarëve të familjes dhe personave të tjerë ne Shqipëri. Duke qenë se pjesa më e madhe e të huajve vendosën të udhëtonin drejt vendeve të tyre të lindjes, kjo krijoi radhë të gjata në aeroporte pasi duhet t’u nënshtroheshim kontrolleve të temperaturës. Gjatë orëve të udhëtimit kam mbajtur maskën të vënë dhe një higjienë të lartë duke qenë se avionët kanë qarkullim të brendshëm të ajrit dhe aeroportet janë vende me grumbullime të mëdha njerëzish ku dhe mundësia për t’u infektuar është e lartë.
-Si ishin ditët në izolim atje?
Fillimi ishte konfuz dhe i papritur. Të gjithë i prisnim këto pushime të Viti të Ri për të udhëtuar apo për të shkuar pranë familjeve tona dhe papritur përballemi me një situatë që kalonte çdo pritshmëri apo imagjinatë. Kjo situatë i ngjante një filmi dhe qytetet u kthyen në qytet fantazmë. Sigurisht që qëndrimi në shtëpi ditët e para izoluar është pak i vështirë sepse duhet të riorganizosh mënyrën e jetesës dhe të mendosh për aktivitet interesante për të kaluar kohën. Dilnim një herë në tre ditë për të blerë ushqime dhe kishim orare të përcaktuara për të dalë dhe kthyer në shtëpi. Së fundmi, na pajisën dhe me një kartë ku vetëm një person i familjes mund të dilte jashtë. Pjesën më të madhe të ushqimeve mund t’i blinim online ose pranë dyqaneve të vogla në komunitetet ku jetonim. Çdo ditë lexonim lajmet dhe shihnim statistikat, shifra të cilat rriteshin dita ditës. Por, besimi i popullsisë tek shteti ishte diçka për t’u admiruar. Siç e përmenda dhe me lart, çdokush i zbatonte rregullat me përpikmëri dhe bënin çdo gjë që mundeshin që kjo situatë të përfundonte sa më shpejtë. Shkollat qëndrojnë ende të mbyllura dhe mësimi bëhet nëpërmjet formateve online.
-Si arrite që të vije në Shqipëri? Pse vendose të ktheheshe?
Arrita të kthehesha në Shqipëri gjatë javës së dytë të muajit shkurt. Siç e përmenda, periudha e janar-shkurtit është një periudhë pushimesh për universitetet dhe kthimi në Shqipëri ishte një udhëtim i parashikuar më parë. Për më tepër meraku i familjes ishte i madh, pasi mendonin të isha më mirë pranë familjes sesa të përballesha me këtë situatë e vetme. Ndërkohë, që vetë nuk isha e bindur për t’u kthyer për shkak të frikës së kontraktimit të virusit gjatë udhëtimit. Por, mora masat e nevojshme: maskë, alkool dhe doreza dhe evitova sa të mundesha prekjen e objekteve që mund të prekeshin nga të gjithë. Pas kthimit u vetëizolova për 14 ditë për arsye se pavarësisht masave të marra, asnjëherë nuk mund të isha 100% e sigurt nëse isha apo jo bartëse e virusit. Ndërkohë që mbajta sa të mundesha distancë nga pjesëtarët e familjes.
-Pse është i rëndësishëm izolimi sipas teje?
Izolimi është tepër i rëndësishëm për arsye ky është një armik i padukshëm. Së dyti, periudha e inkubacionit për të shkon nga 2-14 ditë dhe mos gaboj studimet e fundit thonë deri në 5 javë. Ç’ka do të thotë dashur padashur mund të jemi bartës së tij. Duke frekuentuar vende publike, kafene, transport publik, duke takuar miqtë, duke infektuar familjarët dhe ata nga ana e tyre kolegët me të cilët punojnë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse kthehemi në një burim për të përhapur virusin dhe përgjegjës për infektimin e shumë personave. Ky virus përhapet në formë zinxhiri dhe në qoftë se nuk izolohemi atëherë ai do të përhapet na shifra tepër të frikshme duke rrezikuar pjesën më të madhe të popullsisë, sidomos grupmoshat më një sistem imunitar të dobët. Duke mos harruar që jo çdokush mund të mbaj të njëjtën higjienë. Izolimi na mbron nga ky virus për ta marr atë dhe nëse fatkeqësisht jemi mbartës së tij, nuk ua shpërndajmë personave të tjerë. Izolimi dhe zbatimi me përpikëmëri i rregullave të vendosura nga qeveria, janë mënyra e vetme për ta kaluar këtë situatë. Nuk besoj se është koha që asnjëri prej nesh të bej trimin dhe duke vënë në rrezik shëndetin e të tjerëve. Sa më shumë të bindemi dhe zbatojmë atë ç’ka na thuhet, aq më shpejt do e kapërcejmë këtë situatë dhe aq më shpejtë do jemi në gjendje të takojmë miqtë apo të shkojmë në vendet tona të preferuara. Kjo është një luftë e përbashkët, ndaj duhet ta luftojmë të gjithë. Duhet të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë rrezikun që sjell ky virus, jo vetëm nga ana shëndetësore, por dhe ekonomike. Nëse në vazhdojmë të thyejmë rregullat, nuk bëjmë tjetër gjë veçse e zgjasim dhe më tepër periudhën e karantinimit dhe vështirësojmë punën e mjekëve.
Kjo është një periudhë që duhet të tregojmë më tepër dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe të ndihmojmë ato grupmosha të cilat janë më në rrezik ndaj këtij virusi. Është koha për të qenë human dhe të kryejmë detyrimet tona qytetare.
Dua të marr shkas nga kjo mundësi për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal ndaj qëndrimit të përgjegjshëm të popullsisë kineze dhe menaxhimit perfekt të situatës nga shteti kinez. Dhanë një shembull botërorë jo vetëm në arritjen me sukses të kalimit të kësaj situate por dhe duke ndihmuar shtetet e tjera për të kaluar këtë situatë.